Izraeli njoftoi sot se forcat e tij ushtarake luftuan kundër militantëve të Hamasit në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë vrasjen e dhjetëra luftëtarëve në Gazën qendrore dhe veriore, ndërsa sulmet ajrore izraelite goditën qytetin Khan Younis në pjesën jugore të rajonit.
Luftimet vazhduan ndërsa negociatorët që kanë propozuar një tjetër armëpushim prisnin përparim në arritjen e një marrëveshjeje mes Izraelit dhe Hamasit, që do të mundësonte një ndëprerje afatshkurtër të luftimeve dhe lirimin pengjeve nga ana e Hamasit.
Propozimi për armëpushim të përkohshëm erdhi pas bisedimeve në Paris, më herët gjatë kësaj jave, mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, Izraelit, Katarit dhe Egjiptit. Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh pritej të udhëtonte në Kajro për të diskutuar mbi planin.
I pyetur ditën e djeshme gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë mbi detajet e këtij propozimi, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha po bëheshin përpjekje për një armëpushim më të gjatë se ai i nëntorit, që zgjati rreth 1 javë.
Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin, që udhëheq Gazën, dhe është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Bashkimi Europian e vende të tjera. Izraeli nisi kundër ofensivën në Gazë, pas sulmit të Hamasit në 7 tetor, që sipas autoriteteve izraelite la të vrarë 1200 persona.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet Hamasi, thotë se numri i njerëzve të vrarë si pasojë e kundërofensivës së Izraelit është 26,900. Ministria nuk bën dallim mes civilëve dhe militantëve në këtë bilanc, por thotë se shumica e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për ndihmën për palestinezët tha se ndërsa vazhdojnë luftimet e ashpra në rajon, 184,000 njerëz janë regjistruar për ndihma humanitare ditët e fundit./VOA