Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se lufta në Ukrainë ka ndryshuar rrënjësisht planet e qeverisë së tij, në këtë mandat të tretë. Rama mbajti fjalën në Kongresin e Partisë Socialiste që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve.
Ai u shpreh, gjatë një fjalimi udhëzues për qindra socialistët e pranishëm në sallë, se kryefjala e qeverisë prej këtij momenti dhe pasi lufta të ketë përfunduar, duhet të jetë forcimi i sigurisë dhe përkujdesjes ndaj qytetarëve.
“Garancia për siguri në këto kushte të reja do të thotë jo vetëm fuqizim i kapaciteteve të mbrojtjes dhe diplomacisë, kjo është një kohë e jashtëzakonshme që kërkon edhe një fuqizim të konsiderueshëm të ndjenjës së sigurisë individuale, familjare, komunitare. Siguria dhe përkujdesja do të jenë kryefjala”, u shpreh ndër të tjera Rama.
Pjesë nga fjala e Ramës në Kongresin e PS:
Jetësimi i autonomisë spitalore është kushti i domosdoshëm për ta zhdukur korrupsioni nga bluzat e bardha. Do të themi me krenari që kemi bërë një detyrë historike për të mirën e shëndetit të shqiptarëve. Sa mirë do ishte sikur lufta në Ukrainë të mos na kishte hyrë si një pyk mes planeve dhe projektit tonë të mandatit të tretë. Ajo luftë atje ka ardhur si një sprovë e re e forcës tonë të karakterit dhe për të dalë më të fortë. Ne vetëm duhet ta përballojmë. Të garantojmë tre gjëra, siguri, përkujdesje ndaj të gjithëve dhe zhvillim për të gjithë shqiptarët pa dallim, të bashkuar e jo të ndarë. Garancia jonë dhe përkujdesja për ta duhet të jetë përgjigja tonë që duhet të shkojë edhe më tej kësaj përballjeje me pasojat e luftës. Lufta do të mbarojë, por kjo garanci duhet të qëndrojë aty. Si ne kemi që në krye të herës që përpiqemi ta ndërtojmë, ky është momenti për ta ngritur në këmbë. Do të dalim më të fortë nga kjo krizë, në të gjitha dimensionet. Garancia për siguri në këto kushte të reja do të thotë jo vetëm fuqizim i kapaciteteve të mbrojtjes dhe diplomacisë, kjo është një kohë e jashtëzakonshme që kërkon edhe një fuqizim të konsiderueshëm të ndjenjës së sigurisë individuale, familjare, komunitare. Siguria dhe përkujdesja do të jenë kryefjala.
Duhet t’i perceptojmë bashkë, t’i trajtojmë bashkë dhe t’i bëjmë bashkë, si pjesë e të njëjtës bashkësi shqiptare. Dhe jo t’i ndajmë majtas-djathtas. Krahasuar me vendet e rajonit, kjo qeverisje ka shpërndarë shumën më të madhe të të ardhurave të arkës së shtetit në raport me tërësinë e këtyre të ardhurave. Prej disa vitesh tashmë, Shqipëria ka taksa më të ulëta, taksat që tani janë komplet simbolike për pagat, nuk mjaftojnë më sepse kjo është një kohë e jashtëzakonshme. Dhe kjo kohë e jashtëzakonshme nuk kërkon vetëm para, kërkon lidership, siguri, dhe përkujdesje. Sepse ka rritur ndjenjën e pasigurisë si rezultat i luftës, i çmimeve dhe i njëmijë e një gjërave.