Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj në një intervistë është shprehur se pas zgjedhjeve mund të kemi një rritje të rasteve me Covid-19.
Ai është shprehur se për shkak të grumbulimeve apo edhe mosrespektimit të masave anti-Covid mund të ketë një rritje të rasteve, por përjashtoi që të ketë një valë si ajo që kemi kaluar.
“Duke marrë parasysh se janë rreth 2 mijë kandidatë nga partitë politike. Duke marrë parasysh dhe sa shoqërues kanë, kuptohet që mundësia e përhapjes është rritur, është shtuar në këtë moment.
Duke i shtuar edhe pakujdesitë e mos mbajtjes së maskës, apo mos respektimit të distancës, mendoj se do ketë një rritje në maj, por asnjëherë si ato valë që kaluam”, tha Brataj.
Sipas të dhënave zyrtare deri tani janë prekur nga koronavirusi mbi 130 mijë persona. Me fillimin e fushatës së imunizimit është vaksinuar 13% e popullsisë, ndërsa aktualisht janë 24 mijë të sëmurë aktive, 18 mijë vetëm në Tiranë”, tha ai në a2cnn.