Hapësire reklamuese

Aktualitet

Nuk i rezistuan muzikës! Gjobiten me 10 milion lekë 6 pronarë lokalesh, ndëshkohen qindra qytetarë për mos mbajtjen e maskës (VIDEO)

Shkruar nga Newsbomb

Vijojnë ndëshkimet me gjobë në vendin tonë për personat të cilët nuk mbajnë maskë në ambientet publike.

Përmes një njoftimi zyrtar, policia ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë gjobitur 626 qytetarë me 3,000 lekë secili, 7 prej tyre janë shoqëruar në polici pasi nuk kanë pasur mjetin e identifikimit me vete.

Ndërkohë që janë ndëshkuar edhe 6 pronarë lokalesh me nga 10 milion lekë (të vjetra) për shkak se nuk kanë respektuar aktin normativ për ndalimin e muzikës pas orës 20:00.

Njoftimi i plotë:

Ndëshkohen me masë administrative, 626 qytetarë dhe 6 administratorë lokalesh, për mosrespektimin e masave anticovid.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia. 

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 626 qytetarë që lëviznin pa maskat mbrojtëse.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 6 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë. 

Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 7 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, të respektohet me rigorozitet vetëkarantinimi i detyrueshëm nga ata qytetarë që janë të prekur me COVID-19, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19. 

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll