Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Nuk do jetë më deputete, Eglantina Gjermeni flet pas listave: Angazhimi im nuk mbaron këtu, rëndësi ka që dola “me faqe të bardhë”

Shkruar nga Newsbomb
Nuk do jetë më deputete, Eglantina Gjermeni flet pas listave:
Socialistja Eglantina Gjermeni

Socialistja Eglantina Gjermeni reagon pas publikimit të listave për deputetë të PS, ku emri i saj bën pjesë te ata kandidatë që nuk kanë marrë besimin për të rikandiduar për një mandat tjetër.

Gjermeni falenderon drejtuesit e PS dhe kolegët me të cilët bashkëpunoi 3 mandate, qytetarët të cilët përfaqësoi dhe familjen e saj, që siç thotë i ka hyrë pak në hak, por ata e kanë mbështetur pa kushte.

“Sigurisht, angazhimi im në jetën publike, as nuk ka filluar, as do të mbarojë me largimin tim nga kandidimi për deputete. Të gjithë në këtë botë jemi të përkohshëm, padyshim edhe në politikë. 

E rëndësishme është të dalësh “me faqe të bardhë”, siç themi ne.   I uroj me zemër suksese ekipit të Partisë Socialiste në 25 Prill!  Besoj që fitorja e mandatit të tretë do të jetë vazhdimi i punëve të nisura, si  dhe përmbushja e dy objektivave të mëdha, proçesi i rindërtimit dhe rimëkëmbja pas pandemisë”, shkruan ndër të tjera Gjermeni.

Shënimi i Eglantina Gjermenit:

Të dashura mikesha, të dashur miq, 

Ju falenderoj nga zemra për gjithë mbështetjen, vlerësimin, respektin që më keni dhënë me bujari ndër vite! 

Në gjithë këto vite si deputete, jam munduar të përfaqësoj denjësisht qytetarët, problemet e nevojat e tyre dhe shpresoj të kem dhënë një kontribut modest me angazhimin tim në politikë. Përkushtimi, integriteti, etika dhe përgjegjshmëria, më kanë ndihmuar të justifikoj besimin e dhënë dhe të mundohem të jap më të mirën. 

Kam ndjerë përgjegjësi të madhe si e zgjedhur, e votuar si deputete, apo dhe e emëruar si ministre, ashtu siç edhe jam ndjerë e privilegjuar të mar besimin, mbështetjen dhe vlerësimin tuaj! 

I jam mirënjohëse Partisë Socialiste, të gjithë socialistëve, që më kanë votuar gjithmonë, madje duke më dhënë besimin për të qenë anëtare e Kryesisë së Partisë Socialistë, forcës më progresiste në Shqipëri. 

Mirënjohëse pafund qytetarëve të Njësisë 5, në Tiranë, ku fillova rrugëtimin politik në 2009, Bashkisë Lushnjë që i përfaqësova në vitet 2013 -2017, si edhe qytetarëve të bashkisë Krujë, të cilët vazhdoj t’i përfaqësoj derisa të përfundojë mandati, për të cilin më kanë votuar. 

Gratë dhe vajzat që më kanë frymëzuar gjithmonë me historitë e forcën e tyre, kanë punuar me mua në çdo moment, dhe jam shumë krenare për çdo arritje të grave në Shqipëri. Çështjet e të drejtave të grave, barazisë gjinore, përfaqësimit të grave dhe vajzave, do të vazhdojnë të jenë pjesë e pandashme e identitetit  tim dhe asaj që besoj që është e drejtë  për tu bërë. 

Falenderimi veçantë për kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryeministrin Rama për besimin, mbështetjen dhe vlerësimin gjatë rrugëtimit tim në politikë. 

Faleminderit shumë kolegëve, mikeshave  dhe miqve të mi në parlament, në tre legjislatura, me të cilët ndamë ditë të bukura e ditë të vështira. Edhe kolegëve dhe deputetëve të opozitës me të cilët kemi bashkëpunuar në Parlament, ju them faleminderit. 

Mirënjohje për gazetarë e përfaqësues të medias, që më kanë mbështetur dhe vlerësuar. 

Padyshim nuk mund të harroj mikeshat e miqtë e mi jashtë politikës, që mbase jo gjithmonë ishin dakord me angazhimin tim në politikë, por ama ishin gjithmonë mbështetje për mua, sa herë kisha nevojë. 

Prindërve të mi u jam thellësisht mirënjohëse për mënyrën se si më rritën e më edukuan. Jam krenare për vlerat dhe gjithçka që më mësuan, pavarësisht se modestia, mirësjellja, përkushtimi, integriteti, ndjeshmëria e cilësi të tjera, që ndonjëherë  duken  si “jashtë mode”, më kanë bërë kjo që jam dhe vetëm më kanë dhënë siguri e dinjitet. 

Padyshim familjes time të vogël, të cilës i kam hyrë në hak shumë gjatë këyre viteve, i shpreh mirënjohjen më të madhe, që më kanë mbështetur pa kushte, kanë qenë dhe mbeten për mua frymëzim, siguri e garanci për t’ia dalë mbanë çdo sfide.

Sigurisht, angazhimi im në jetën publike, as nuk ka filluar, as do të mbarojë me largimin tim nga kandidimi për deputete. Të gjithë në këtë botë jemi të përkohshëm, padyshim edhe në politikë. 

E rëndësishme është të dalësh “me faqe të bardhë”, siç themi ne. 

I uroj me zemër suksese ekipit të Partisë Socialiste në 25 Prill! 

Besoj që fitorja e mandatit të tretë do të jetë vazhdimi i punëve të nisura, si  dhe përmbushja e dy objektivave të mëdha, proçesi i rindërtimit dhe rimëkëmbja pas pandemisë.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll