Ditën e hënë u luajt derbi mes Partizanit dhe Tiranës, e vlefshme për javën e 22-të të Superiores. Kjo ndeshje u mbyll me fitoren e të kuqve, me rezultatin 2-1. Megjithatë ky takim nuk kaloi pa u kontestuar nga bardheblutë, të cilët akuzuan gjyqtarët për një gol offside të dhënë në favor të Partizanit dhe një 11-metërsh të mohuar në favor të tyre.
Pikërisht për këtë të fundit, mësohet se arbitri i linjës Ardian Beqiri, i cili ndodhej pas portës së Alban Hoxhës është pezulluar pa afat nga Komisioni i Disiplinës së Gjyqtarëve në FSHF. Beqiri ishte shumë pranë aksionit, ku Lorenc Trashi preku topin me dorë brenda zone, por për gjyqtarin e linjës gjithçka ishte e rregullt. Tashmë ai duhet të vuajë këtë ndëshkim që është marrë nga Komisioni i Disiplinës së gjyqtarëve në FSHF.