Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e 2 shtatorit në Uashington që do të zhvillohet mes tij dhe Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë.
Ai është shprehur për mediat serbe se nuk është në pozicion që të mund të anullojë këtë takim.
Ai ka konfirmuar, sikurse kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, se temë e bisedimeve do të jenë çështjet ekonomike.
“Në negociata marrim pjesë, tema do të jetë ekonomia, kjo është e rëndësishme për ne dhe është temë e mirë”, tha Vuçiç.
Fillimisht takimi ishte planifikuar më 27 qershor, por dështoi për shkak se Prokuroria e Hagës, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, gjatë luftës.