Mandatit të një prej “strategeve” amerikane të reformës në drejtësi, i erdhi fundi. Michelle Lakomy, shefja e misionit OPDAT në Shqipëri, me varësinë direkte nga ambasada amerikane, u përcoll nga miq e shumë të ftuar në një takim miqësor në rezidencën e ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, raporton newsbomb.al.
Fotot dhe mesazhet nga kjo ceremoni i përcjell në rrjetet sociale Twitter, një prej drejtuesve shqiptarë të kësaj reforme, Fatmir Xhafaj, që flet me superlativa për zonjën Lakomy dhe punën që bëri në Shqipëri për sistemin e ri të drejtësisë.
“Largohet një tjetër mike e mirë e Shqipërisë, profesioniste e shkëlqyer me përkushtim të veçantë për reformën në drejtësi, për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja. Një mbrojtëse e palëkundur e frymës kushtetuese të reformës, vlerave, parimeve dhe standardeve ndërkombëtare.
Mirënjohje Michelle për kontributin e jashtëzakonshëm, për modelin që solle te kolegët shqiptarë, për vlerën e institucioneve të drejtësisë, modestinë, pasionin, kurajën & përgjegjshmërinë e një profesionisti që e do punën e tij, që e ka të shenjtë ligjin & shërbimin ndaj vendit të tij” shkruan Fatmir Xhafaj në rrjetet sociale.
Lakomy, pas misionit në Shqipëri, do të marrë detyrën e gjyqtares federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, citon Xhafaj në mesazhin e vet.
Prej shumë vitesh misioni OPDAT është vendosur në Shqipëri për të ndihmuar qeverinë në zhvillimin e drejtësisë kriminale dhe strukturat e zbatimit të ligjit me theks të veçantë mbi korrupsionin publik, krimin e organizuar dhe trafikimin njerëzor. OPDAT është i përfshirë në rishikimin e legjislacionit të drejtësisë kriminale, trajnimin e gjykatësve, policisë, prokurorëve, dhënia e pajisjeve për zbatuesit e ligjit dhe dhënia e ndihmës teknike që synon vendosjen e strukturave më efektive të zbatimit të ligjit.
Michelle Lakony, ishte prokurore e njohur në Shtete e Bashkuara të Amerikës kur erdhi në Shqipëri, më 18 korrik të vitit 2019, pikërisht për hartimin dhe implementimin e Reformës në Drejtësi, shkruan newsbomb.al.