Hapësire reklamuese

OpEd

Një president komod!

Shkruar nga Newsbomb
Një president komod!

Nga Edi Oga, ekskluzivisht për Newsbomb.al

Sot u vulos përfundimisht fati i presidentit të ri.

Atë do ta propozojë dhe do ta zgjedhë ekskluzivisht mazhoranca. Lexo, Rama.

Opozita zeroi përgjegjësitë e saj për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Duket paradoksale, por në këtë pikë më mirë që ndodhi kështu.

Duke mos pasur as minimumin e besimit se maxhoranca do të pranonte dhe do të votonte ndonjë kandidat të saj, opozita “e konsultuar” (e katandisur në fytyra dhe emra që të gjithë së bashku nuk  marrin vota as sa për një deputet), mes kushtesh e kapriçosh, dogjën tre raundet e para kushtetuese, ato me shumicë të cilësuar.

Le të mos harrojmë se ata votohen dhe paguhen nga ne që të marrin pjesë në këto procese, por për dreq, edhe mosdakordësia apo nuliteti i produktit, atyre u njihet si “punë”.

Cilido që të jetë i përzgjedhuri, ai do të marrë votat e maxhorancës dhe eventualisht ndonjë votë “rebele” të dikujt nga opozita që do të ketë arsye politike apo interesa pragmatiste ta bëjë këtë. Cilido qoftë “fatlumi apo fatlumja”, do të vendoset aty si një zgjatim i pushtetit, si notere e qeverisë dhe si një person i cili ka valencë politike mundësisht zero. Me fjalë të tjera, një president komod. Mbase popullit nuk do t’i pëlqejë, por nuk ka ç’të bëjë. Për këtë çeshtje, populli e ka thënë të vetën, megjithëse indirekt. E ka thënë kur ka zgjedhur ata (palo) deputetë të cilët votuan ndryshimin kushtetues i cili matematikisht ia jep presidentin çdo maxhorance të thjeshtë. Politikanët e kanë “kopsitur me kohë këtë muhabet”, sepse kështu u intereson. Sigurisht që kanë pasur edhe miratimin e ndërkombëtarëve, të cilëve nga ana e tyre u intereson vetëm stabiliteti social dhe kontrolli mbi këtë vend. Duke qenë se pushtetarët tanë i kanë vasalët të tyre të bindur, ata nuk kanë pse të stimulojnë aventura, nuk kanë pse rrezikojnë. Në gjykimin e tyre nënçmues për racën tonë, shqiptarët nuk janë si francezët, që zgjedhin midis Macron dhe Le Pen. Sipas tyre, nëse do të ishin të lirë për ta zgjedhur direkt, shqiptarët mund të bënin president ndonjë “monstër” që mund t’i hapte probleme. Përse të rrezikojnë?!

Me këto ngjarje që rrjedhin pa bujë, duket sikur demokracia në këtë vend po shkon në drejtimin e duhur, madje po konsolidohet. Përkundrazi. Gjërat po shkojnë çdo ditë e më keq. Pavarësia e pushteteve, parimi “check and balance”, e të tjera si këto, nuk janë cënuar, janë shkelur me këmbë dhe janë flakur tek koshi i plehrave!

Sondazh

Poll

Sondazh

Poll