Tirana
overcast clouds
4.5 ° C
4.5 °
4.5 °
87 %
1.5kmh
90 %
Mër
10 °
Enj
13 °
Pre
15 °
Sht
10 °
Die
10 °
E mërkurë, 1 Dhjetor, 2021
spot_img

Një portret i panjohur i Skendërbeut në Muzeun e qytetit të Fermos në Itali

spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

Mark Palnikaj

Me datë 11 deri 14 tetor shkova për një vizitë studimore në Bibliotekën Komunale “Romolo Spezioli”, në Arkivin Dioqezan dhe në Muzeun e qytetit të Fermos në Itali. Kjo vizitë më solli një befasi të këndshme që nuk e kisha imagjinuar. Në murin e sallës së muzeut, krahas dhjetëra portreteve të personaliteteve të ndryshme nga Italia dhe nga vende të tjera, ishte i ekspozuar edhe një portret i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky portret ndoshta do të më kishte shpëtuar pa e parë por ishte një rastësi se si ndodhi që unë munda ta shikonja.

Midis librave që unë kam dërguar si dhuratë bibliotekës dhe arkivit ishin edhe libri im “Skënderbeu, letërkëmbimi me Sulltanët” dhe disa albume mbi Skënderbeun. Kur unë i dorëzova Kryetarit të Provincës së Fermos, Paolo Calcinaro një album me ngjyra për Skënderbeun shkruar në gjuhët shqipe dhe angleze, ai më falenderoi dhe u shpreh se në muzeun e qytetit kemi të ekspozuar një portret të Skënderbeut. Unë menjëherë kërkova që të më mundësonin ta shikonja.

Kryetari më shoqëroi në sallën e madhe të mbledhjeve të muzeut ku ishte i ekspozuar portreti.

Në murin përballë derës hyrëse, në rreshtin e parë, ky portret ishte i vendosur i dyti midis disa dhjetëra portreteve të tjera. Ishte i rrethuar me një kornizë druri shumë të vjetër dhe të shkruar në anën e poshtme me gdhendje shënimi “SCANDERBERG GIORGIO 1414 + 1467”.

Reagimi im ishte i menjëhershëm për datën e lindjes dhe të vdekjes së heroit, që sipas meje, ishin të shënuara gabim që të dyja.

Punonjësit e muzeut, krejtësisht të qetë më dhanë sa mundën shpjegimet e tyre mbi këtë reagim timin. Menjëherë më sollën një katalog me ngjyra ku ishin të botuara fotot e të gjitha pikturave me një shpjegim të shkurtër për secilën prej tyre. Në katalog, poshtë fotos së portretit në fjalë, ishin të shënuara me korrektësi, sipas njohurive që kisha unë, data e lindjes dhe e vdekjes, 1405 dhe 1468.

Kur pashë katalogun u binda menjëherë që ndërhyrja ime ishte e pa nevojshme dhe nuk u zgjata më në këtë diskutim.

Ata me shumë mirësjellje më shpjeguan se ky portret ishte dhuruar, sipas dokumentit që ata kishin,  nga një prift në vitin 1550, pra 471 vjet më parë dhe ky ishte një objekt historik mbi të cilin nuk duhej dhe nuk kishte kuptim të vihej dorë.

I falenderova për pritjen dhe për shpjegimet që më dhanë dhe u largova i kënaqur që shikoja një portret të Heroit tonë Kombëtar që nuk e kisha parë ndonjëherë.

Në vijimësi, mësova se ekziston në një muze tjetër edhe një portret i Skënderbeut me rroba kombëtare të zonës fushore të Shqipërisë së Mesme. Kur i pyeta se në cilin vend ndodhej, rezultoi që ishte 500 kilometra larg dhe unë në këtë vizitë nuk munda të shkoja ta shikoja.

Jemi marrë vesh që do të kryej një tjetër udhëtim të planifikuar në Itali, posaçërisht për këtë portret sapo të jetë e mundur.

Simbas konsultave me specialistët e pikturës, ky portret ka mjaft veçanti që e bëjnë shumë interesant qoftë në aspektin historik, qoftë në aspektin artistik si një portret i punuar me teknika shum të veçanta.

Piktorit i njohur nga Mirdita, Pjetër Marku, kur u njoh me këtë portret u shpreh:

“Nuk e kam hasur ndonjë herë këtë portret dhe është i panjohur edhe nga unë në gjithë njohjet e mija të pikturave kushtuar Skënderbeut. Portreti nuk ka autor dhe si duket autori nuk e ka nënshkruar siç ka ndodhur jo rrallë në periudhën e Rilindjes Europjane. Piktura është një portret i mirëkompozuar, një arritje kjo e periudhës së Rilindjes. Piktorët atë periudhë i kushtonin shumë kujdes vendosjes së pikturës në telajo si një gjuhë e veçantë komunikimi. Madje ishte kthyer në kanun kërkesa për kompozimin e veprës në telajo.

Piktorët përllogaritnin saktësisht vendosjen e figurës si edhe hapësirat brenda dhe për rreth sajë. Ky portret është vendosur mirë sipas atyre kërkesave dhe eksperiencave të kohës. Së dyti, vizatimi i portretit është i ngjeshur saktësisht i vizatuar me kërkesë profesionale. Autori duhet të ketë pasur eksperiencë pune të gjatë pasi ka ruajtur fort mirë raportet kokë – tors. Ana piktorike. Bie në sy sfondi i pikturës i errët gjë që është bashkëkohor i periudhës klasike italiane, dhe trajtimi koloristik ka profesionalizëm. Në vështrimin tim, ky portret paraqet interes si vepër kushtuar Skënderbeut , ndërsa përsa i përket trajtimit koloristik është në zhvillimet e pikturës së kohës. Përshtypja ime është trajtimi i veshjeve në kontrast më fytyrën. Piktori në mbajtjen e mbulesës së kokës ose kapeles si edhe në veshjen ruan një raport profesional.

Mbi kokë ka një kësulë të kuqe shumë të pikturuar impresive, por që lejon portretin të evidentohet si plan i parë ashtu si edhe veshja e Skënderbeut mes atyre të errtave dhe evidentohen lehtë. Pa hyrë në portretin kam bindjen se autori ka qënë me eksperiencë të gjatë pune si piktor. Në portret apo fytyrë kemi një gjendje tjetër. Klasikët ndriçonin idenë themelore të veprës, ato kryesisht i shihnin me dritë dhe ngjyrat të thjeshta pa shumë kolorit, por komunikuese me vizitorin. Tek portreti sido që ka kujdes të madh në vizatim është mbajtur thuajse monokron, pa shumë kolor, dhe në një gamë larg gamës së vëshjeve. Por duhet parë me syrin e piktorit. Ai është një portret me psikologji optimiste, sytë i qeshin figurës.

Ai krijon një portret imagjinatë të përafërt me këtë pikturë. Në pamje të parë duket i thjeshtë , komunikues, me kolor të përmbajtur, që vjen nga përvoja krijuese e autorit. Autori e shpreh Skendërbeun shumë njerëzor si një qytetar më shumë se një luftëtar. Nuk përdor atë përkrenarën dhe veshjen e hekurt që jemi mësuar t’a shohim në portretet e tjera të Skendërbeut. Siç duket autori kishte në veprat e tij psikologjinë e njerëzve të thjeshtë pa sforcime historike e luftëtari. Unë e shoh në tërësinë e vet këtë portret një vepër tjetër unike kushtuar Gjergj Kastriot-Skënderbeut. Dhe duhet të jetë e  fundit të shek XV apo mesi i shek XVI. Gjithnjë duke njohur vepra të asaj periudhe, mosha e kësaj pikture është e madhe. Për mua ardhja e një portreti tjetër nga arkivat Italiane për Skënderbeun tregon miqësinë njerëzore të Skënderbeut me Italinë. Vetë fakti se merret edhe një piktor tjetër ndër shumë piktorë me figurën e tij kjo ka domethënie të madhe. Gjithsesi gjendemi para një vepre arti me vlera historike të hershme artistike dhe kontribut në historiografinë e artit figurativ kushtuar Skënderbeut.”

1 Portreti i Skenerbeut

Studjuesi i njohur Fotaq Andrea u njoh me këtë portret nga miku ynë i përbashkë Z. Hasan Aliaj, botues prej njëzet vjetësh i gazetës letraro historike “Rrënjët” në Itali. Ai duke analizuar këtë portret është shprehur:

“Të falenderoj ngrohtesisht që më dërguat portretin e Skendërbeut zbuluar këto ditë nga Z. Mark Palnikaj në muzeun e Fermos  si dhe shkrimin shoqërues për këtë portret.

 I shpreh me këtë rast, përgëzimet e mia Z. Palnikaj për botimin e veprës së tij “Skenderbeu dhe letërkëmbimi me Sulltanët”, i cili për fat të keq ende nuk më ka rënë në dorë, si dhe për zbulimin e vyer që ai ka bërë në Fermo të portretit aq të veçantë  të Skenderbeut, të cilin ma derguat me dashamirësi.

Pa dyshim, ky portret është i Shkolles Italiane të fillimit të shekullit XVI dhe menjëherë bie dukshëm në sy pozicioni me profil nga e djathta e personazhit, që është shfaqur për herë të parë në medaljonin e v. 1467-1468 botuar në koleksionin e Pietro Voltalinës dhe studiuar me imtesi nga prof. Lutfi Alia. Po ashtu, bie në sy edhe etiketimi SCANDERBERG GIORGIO 1414 + 1467, dëshmi e hershme e një emërtese me ndikim franko- flamand kur mbaresa BERG shpreh një origjine fisnikërore të familjeve të mëdha të Perëndimit dhe që e gjejmë për herë të parë tek emertesa “Pirgu i Scanderbergut” në Savojë të Francës me 1448, si dhe më vonë tek botimi i veprës së Barletit në gjermanisht, ilustruar nga Jorg Breu i Riu me 1533.

Për këtë mbaresa SCANDER – BERG ka tërhequr vemendjen që heret Faik Konica tek Albania e tij e famshme.

 Sa për datën e lindjes me 1414, dihet se ky variant i pasigurt ka qarkulluar që heret në shekullin XVI e që lidhet me moshën e marrjes peng të djaloshit Skendërbe (studiuesi Hammer këmbëngul për v. 1414 si vit lindjeje i Skendërbeut), kurse viti 1467 i vdekjes, dihet që jepet sipas kalendarit të vjetër venecian.

 Çfare bie në sy konkretisht tek ky portret i Skendërbeut zbuluar nga Z. Palnikaj?

Duhet të jetë i periudhës  kur është pikturuar edhe portreti i Skendërbeut mbi portën e shtëpise ku ka bujtur në Romë duke parë midis dy portreteve njëfarë analogjie pozicionale dhe veshjeje, sidomos tek tipari i hundës që na jepet disi e drejte, pa kurriz, por me majën disi të rënë, krejt ndryshe nga portreti në ksilografi tek Barleti i v. 1510, që e shfaq Skendërbeun “legjendar” me hundën e theksuar akiline, një sajesë kjo àla Barletiane…

Është sigurisht me veshje veneciane, por fundi i shamisë shfaqet i plotë nën kapele, më e lartë kjo nga kapa e zakonshmja ku KryeHeroi shqiptar na shfaqet në portretet origjinale.

 Mosha e Heroit jepet më e re, me mollëz të dalë kockore dhe me fytyrë muskulore disi të tërhequr, ku bie në sy  hunda edhe buza e poshte hollake, krejt ndryshe nga “Skenderbeu” i Altissimo-s apo nga  “Skenderbeu” i Pinakotekës  së Palermos, por që ngjan shumë me portretin e Skendërbeut  të shek. XVI referuar nga F. Kenner, me dallimin se bebja e syrit tek “Skenderbeu” i Fermos nuk shfaqet e plotë, gjë që le njëfarësoji për të dëshiruar, nëse i besojmë fotografimit që na dhuron publikisht Z. Palnikaj. Ndriçimi i faqes, dhe po ashtu i pjesës së ballit dhe të hundës është i ëmbël dhe kontraston dukshëm me krejt pjesën e pasme të errët të imazhit dhe të sfondit, ku është harmonizuar po ashtu edhe e bardha e shamisë nën kapele si dhe mustaku dhe mjekra e shkrifët dhe e derdhur.

 Një vëzhgim i ngulët tek pjesa e mjekrës dhe e mustakut, si dhe tek pjesa e gëzofte na shfaq një punë mjeshtërore artistike, ku i është kushtuar kujdes detajit, për ta dhënë sa më të natyrshme, me njëfare ndikimi nga Van Dyk-u.

Këto mund të them në përgjithësi nga një shikim i parë i këtij portreti të ri të Skenderbeut realizuar me porosi nga një fisnik i lartë tek një piktor mjeshtër i shkollës ndoshta napolitane që fakteqësisht mbetet hëpërhe anonim…”.

Shpresoj që në të ardhmen, studjues të tjerë dhe njohës në hollësi të artit të pikturës do ta studjojnë me vemendje dhe do ta thonë fjalën e tyre për këtë portret. Gjithashtu, ju premtoj se do të bëj çështë e mundur që sa më parë, të prezantoj edhe portretin tjetër të cilin akoma nuk e kam parë por besoj se do të jetë një suprizë e bukur për të gjith neve.

spot_imgspot_img

Më shumë

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img