
Demokrati Gazment Bardhi do të mbledhë këtë të premte Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike. Ky i fundit ka njoftuar përmes një mesazhi deputetët demokratë që në orën 10:00 do të zhvillojnë mbledhjen në sallën e Kryesisë së Kuvendit.
“Nesër, e premte, ora 10:00, do te zhvillojmë mbledhjen e Grupit, në sallën e Kryesisë së Kuvendit.Ju përshëndes!” thuhet në mesazhin e Bardhit.
Kjo mbledhje do të mbahet vetëm një orë para se të mblidhet Komisioni i Reformës Zgjedhore. Mledhja e do të nisë në orën 11:00 dhe do të drejtohet nga Damian Gjiknuri i PS dhe Enkelejd Alibeaj i PD.
Në Komision do të marrin pjesë 18 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim dhe një përfaqësues deputet i pavarur.
Komisioni për reformën zgjedhore ka si objektiv realizimin e ndryshimeve të nevojshme në Kodin Zgjedhor duke u bazuar në rekomandimet e fundit të Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Raporti përfundimtar i monitoruesve të zgjedhjeve të 25 prillit 2021 kritikoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për abuzime me pushtetin gjatë fushatës, ndërsa Partia Demokratike u kritikua për ngritjen e “strukturave paralele” të mbrojtjes së votës.