Hapësire reklamuese

OpEd

“Një leksion falas që na dha kardiologu i pasur”

Shkruar nga Newsbomb

Shkruan Denis Dyrnjaja:

Rasti i mjekut Edvin Prifti na nxorri në pah thelbin e qasjes sonë ndaj korruptimit. Justifikimi se është paga e ulët, ndaj merret ryshfet është vetëm një justifikim banal. Jo 1 mijë euro, por edhe 3 mijë edhe 5 mijë euro t’ua bësh rrogën mjekëve, ai që moralisht është lakmitar dhe i korruptuar do marrë sërish para.

Ai që ka karakter dhe sedër profesionale e personale, nuk do marrë sikurse nuk merr as sot me pagat qesharake.

Përvojat familjare shëndetësore edhe aktuale më kanë lidhur me shumë mjekë e shumë prej tyre janë me plot kuptimin e fjalës fisnikë dhe bëjnë me dinjitet profesionin. Ata meritojnë vetëm mirënjohje dhe bekimin tonë shpirtëror për dedikimin dhe dinjitetin profesional. Pjesa tjetër që bëjnë allishverishe me jetën, shëndetin dhe hallet e njerëzve janë profesionistë në punë, por delenxhinj si njerëz.

Tentativat për të na bërë edhe idiotë që lekët që iu gjetën mjekut në shtëpi nuk janë ato që u janë marrë njerëzve me stil, apo si dhuratë është shumë e shëmtuar, ndërsa tentativa për ta politizuar ngjarjen e rastin është edhe më banale dhe e tepërt. Nëse një mjek me dinjitet thotë shprehjen “në asnjë mënyrë” kur ndeshet me mitmarrjen ai është i vendosur dhe pozicionuar kundër interesit korruptiv.

Nëse një mjek thotë “po mos u shpenzo”, ai thjeshtë konfirmon dëshirën për të marrë ryshfetin. E gjitha pra ka të bëjë me qasjen dhe karakterin e çdo individi që për fat ka veshur bluzën e bardhë dhe ka në dorë shëndetin dhe jetët tona. Dallimi është i thjeshtë dhe i qartë kush do e bën kush do nuk e bën, sado nevojë të ketë për para.

Paga për mjekët duhet rritur sepse është dinjitet, por ajo nuk e ndal dot hajninë e individëve sado pagë e lartë të jetë. Ai që do të marrë ryshfet do marrë në çdo kohë e nga çdo kush. Mjek të bën profesioni, njeri dinjiteti. Këtë të dytën o ke, o se ke.

Sondazh

Poll