
Një person ka humbur jetën, dy janë plagosur me djegie në këmbë dhe dymbëdhjetë të tjerë rezultojnë të zhdukur, nga një shpërthim i fuqishëm në ishullin Jersey, mes Francës dhe Anglisë. Ai është ishulli më i madh i Ishujve të Kanalit dhe i përket Britanisë.
Mediet e huaj raportojnë se një banesë trekatëshe është shkatërruar plotrësisht nga shpërthimi, ndërsa re të zeza tymi vijojnë të dalin nga banesat. Ekipet e urgjencës dhe kërki-shpëtimit janë angazhuar në vendgjarje për të bërë të mundur gjetjen e personave që rezultojnë të zhdukur.
Departamenti i shëndetësisë u bëri thirrje njerëzve që të shmangin lëvizjen ën zonë, përveç rasteve kur e kanë të nevojshme. Banorët u zgjuan nga zhurmat e mëdha dhe fillimisht menduan se kishin të bënin me një tërmet. Ende nuk dihen shkaqet e këtij shpërthimi masiv, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimin në lidhje me arsyet e shpërthimit në ishull.