Hapësire reklamuese

OpEd

Një humbës si Bardh Spahija!

Shkruar nga Newsbomb
Një humbës si Bardh Spahija!

Bardh Spahise i ka humbur siguria dhe po mundohet me çdo kusht të kanalizojë këtë fund fushate tek viktimizimi. Ai po kërkon të bindë shqiptarët se në Shkodër po luhet diçka e madhe, dhe se nëse “bie” Shkodra, ka marrë fund Shqipëria. Ai gati - gati po kërkon ndihmë për rrethimin imagjinar që ka sajuar bashkë me një grusht të mbetur besnikësh. Në fakt këta janë të gjitha idiotllëqe të një individi që nuk u bë asnjëherë mjek, nuk u bë asnjëherë politikan, nuk u bë asnjëherë lider. Ai thjeshtë u shpërblye nga Sali Berisha me një kandidim në zgjedhjet e pjesshme lokale kur kishte mbetur edhe një vit nga mbyllja e mandatit. Pavarësisht se hynte shumë i avantazhuar në garë përballë kandidates rivale, Spahija arriti një fitore relativisht të ngushtë, që nuk kishte aspak vend për të hapur shampanjë.

Për një vit në krye të bashkisë, ai nuk bëri thuajse asgjë, përvecse hapi fronte lufte me të gjithë eksponentët e Partisë Demokratike të Shkodrës. Asnjë prej tyre nuk është shfaqur në fushatë me kandidatin për kryetar bashkie. Deputetët e kanë braktisur të gjithë, ndërsa më shumë se gjysma e drejtorëve të bashkisë mundohen çdo ditë t’i shmangen daljeve me të.

Konfliktual, gënjeshtar dhe i pabesë. Ky është vlerësimi që kanë për të shumica e personave të PD-së historike, në duart e të cilëve është rritur politikisht. Shkurt, një kopje në miniaturë e Lulzim Bashës.

E në fakt, Bardh Spahija, të kujton Lulzim Bashën, veçanërisht për tre arsye. E para është autostrada që gjeti të lirë kur hyri në politikë, duke përfituar nga emri dhe respekti që gëzonte familja e tij. E dyta ka të bëjë me betejat e fituara pa garë reale. Dhe e treta është vjedhja që ka bërë brenda shtëpisë së tij, duke iu futur duart në kuti kolegëve kandidatë për deputetë, njëlloj si Basha Olldashit dhjetë vite më parë.

Zgjedhjet e 14 - Majit janë gara e parë reale e Spahisë. Një garë në të cilën për herë të parë në jetë do të ketë një kundërshtar serioz të cilin nuk mund ta vjedhë siç bëri dy vite më parë me kandidatët brenda partisë. Prandaj, atë dhe ndjekësit e tij, i ka zënë paniku i një humbjeje që do ta rrëzonte përfundimisht, jo vetëm si kryetar i përkohshëm i Bashkisë Shkodër, por edhe si politikani i parë që me arrogancë dhe mungesë bashkëpunimi, ia dorëzoi bashkinë të majtëve. Ky është shkaku real se pse Bardh Spahija, shfaqet çdo ditë e më shumë i nervozuar duke e kthyer fushatën nga një përballje idesh dhe programesh, në një luftë për jetë a vdekje me armikun imagjinar, të cilin vetëm mendja e djallëzuar e një dështaku kronik e sajon.

Ky nervozizëm, pasiguri dhe mungesë e dukshme përqëndrimi, u vunë re edhe në daljen e mbremshme televizive përballë Grida Dumës. Aty u pa qartë një person me deficensa të theksuara, i cili mund të bëjë gjithcka në jetë, përveçse të mbajë në dorë çelësat e Shkodrës. Dhe këtë e kanë kuptuar edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, të cilët po e braktisin ditë pas dite.

Prandaj nuk është aspak larg momenti kur njëlloj si Michale Corleone tek Kumbari, do ta shohim t’i largohen nga tavolina të gjithë. Duke e lënë krejt të vetëm në hallet e tij. Dhe këtë tashmë e ka kuptuar edhe vetë, por tepër vonë.

Shkodra nuk është më e Bardh Spahisë. Në fakt nuk ka qenë asnjëherë.

 

 

Sondazh

Poll