Turqia duhet të ruajë të pacënuar shtetin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut, deklaroi sot kryeministrja britanike, Theresa May gjatë vizitës së saj në Ankara, ku u takua me presidentin Recep Tayyip Erdogan.
“May u shpreh se është krenare që ka qëndruar në krah të Turqisë gjatë puçit të dështuar më 15 korrik. Aktualisht është e rëndësishme që Turqia të mbështesë demokracinë e saj duke ruajtur shtetin e së drejtës dhe respektimin e detyrimeve ndërkombëtare në planin e të drejtave të njeriut, në mënyrë të njëjtë me angazhimin e qeverisë”, deklaroi ajo në përfundim të takimit me presidentin turk, që u zhvillua vetëm një ditë pas takimit me Donald Trump.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pas takimit deklaroi se çështjet e Sirisë dhe Irakut janë shumë të rëndësishme për Turqinë dhe Britaninë e Madhe.
“Çështjet e Sirisë dhe Irakut janë të një rëndësie të veçantë për Turqinë dhe Britaninë e Madhe. Biseduam edhe për dëshirat tona që bashkëpunimi i Turqisë me forcat e koalicionit të mbështetet në një koncept krejtësisht tjetër”, tha Erdoğan.