Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim publikon një foto me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Meta dhe kryedemokratin Lulzim Basha, dhe thekson se Amerika nuk mbështet asnjë parti politike.
Kim, shkruan se sot është takuar me kryedemokratin Lulzim Basha në selinë blu, në vazhdën e takimeve që ka bërë gjatë 48 orëve të fundit, me Ramën dhe Metën. Sipas diplomates së lartë, SHBA mbështet të drejtën e shqiptarëve për të votuar të lirë dhe në paqe.
“Takova Kryetarin e PD-së Lulzim Basha sot, njësoj siç jam takuar me Presidentin Ilir Meta dhe Kryeministrin Edi Rama në 48 orët e fundit. Ne përsërisim që Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë parti apo kandidat. Por ne mbështesim absolutisht të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të votuar lirshëm dhe në paqe.
Foto e Kim vjen pak orë pas përplasjes së ashpër mes saj dhe Presidentit Ilir Meta. Presidenti akuzoi Kim se e kishte shantazhuar duke i thënë se dinin gjëra për të, ndaj “nuk duhet të bënte zhurmë”, kurse Ambasadorja tha se ata që bënin thirrje për “sfurqe” duhet të dënohen.