Hapësire reklamuese

Aktualitet

Nisma e veçantë: Emri i zysh Ina Kasimatit t'i vendoset një shkolle!

Shkruar nga Newsbomb
Nisma e veçantë: Emri i zysh Ina Kasimatit t'i vendoset

Zysh Ina Kasimati u nda nga jeta të shtunën që lamë pas, nga kjo jetë që aq shumë e deshi dhe luftoi. Sëmundja kësaj here e rrëzoi zyshën e cila iku nga kjo botë me atë buzëqeshje dhe mirësi që e karakterizonte.

Herën e parë triumfoi ndaj kancerit, mirëpo herën e dytë kjo sëmundje e mallkuar arriti që ta ndante nga njerëzit e saj të shpirtit, nga djali i saj dhe nga të gjithë ata nxënës, kolegë, aktivistë të cilët e deshën aq shumë dhe luftuan për të deri në momentet e fundit.

Së fundmi, aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë, miq dhe kolegë të zysh Inës kanë nisur një nismë në nder të saj. Ata kërkojnë që një shkollë të mbajë emrin e Ina Kasimatit, për të jetësuar kështu punën dhe kontributin që ajo ka dhënë prej vitesh.

Kësaj nisme i është bashkuar edhe gazetari Osman Stafa, i cili ka qenë dhe një ndër personat të cilët i kanë qëndruar afër zysh Inës dhe ka kontribouar për fushatën e rikthimit të saj në atdhe.

“I bashkohem atyre njerëzve që kanë hedhur idenë që emri i Ina Kasimatit nuk duhet të harrohet dhe i bashkohem idesë që një shkollë duhet të mbajë emrin e Ina Kasimatit, për mësuesen që ka qenë për aktivisten që ka qenë”, tha Osmani në një intervistë në emisionin “Rudina”.

Më 8 Mars, falë kontributit të qindra shqiptarëve zyshë Ina Kasimati mbërriti në Aeroportin e Rinasit me avion ambulancë nga Franca, ku po kurohej prej muajsh. Mjekët i kishin rekomanduar të kthehej në Vlorë, pranë familjes.

Ajo u bëri thirrje gjithë atyre që kishin mundësi për mbledhjen e 17 mijë eurove, sepse familjarët nuk e përballonin dot koston e udhëtimit të saj me charter mjekësor nga Franca në Shqipëri. Brenda pak orësh shqiptarët mblodhën mbi 24 mijë euro.

Ina erdhi në shtëpi, shkoi pranë familjes së saj, por fatkeqësisht ata njoftuan se zysha që preku zemrat e qindra e mijëra shqiptarëve u largua përgjithmonë nga kjo jetë, si një grua e fortë që nuk reshti së luftuari deri në momentin e fundit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese