Të dënuarit në burgjet “Jordan Misja” dhe “Ali Demi” në Tiranë, kanë nisur të marrin dozat e para të vaksinës kundër Covid-19. Lajmin e jep ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila shkruan se procesi ka nisur sot për të dënuarit burra dhe gra.
Vaksinimi ka filluar në IEVP “Jordan Misja” për kategoritë e të burgosurve me sëmundje kronike dhe atyre mbi 55 vjeç, si dhe në IEVP “Ali Demi” për gratë e dënuara. Ky proces i sapofilluar pas vaksinimit të trupës policore, do të vijojë për të mundësuar edhe më tej lehtësimin e masave për t’iu kthyer normalitetit në institucione peritenciare.
“Një lajm i mirë për sistemin penitenciar. Me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe strukturat e saj shëndetësore filloi vaksinimi kundër COVID-19 të personave të dënuar”, shkruan ndër të tjera ministrja Gjonaj.