Në bregdetin e Vlorës është vendosur tabela e fillimit të fazës së parë të punimeve për ndërtimin e shetitores, që vlerësohet si investimi më i madh në hapësirën urbane të këtij qyteti. Faza e parë (ose Loti 1) e konkretizimit të këtij projekti, që financohet nga Qeveria e Shqipërisë me një vlerë prej 179928000 lekë, me investitor Fondin Shqiptar të Zhvillimit, parashikon mbushjen me rërë të Plazhit Vlorë. Punimet që nisin brenda janarit, do të zgjasin për një periudhë 8- mujore.
Projekti i shetitores së qytetit të Vlorës, që është realizuar nga studioja belge XDGA B.V.B.A, e shpallur fituese në konkursin ndërkombëtar që u zhvillua në fillim të muajit shkurt të vitit 2014, synon një zhvillim perspektiv të bregdetit në përputhje me parametrat natyrorë, traditat etj. Projekti parashikon një cilësi të lartë të bregdetit, raport të mirë me parametrat natyrorë, respektim të kushteve specifikë natyrorë dhe të gjirit të Vlorës në një gjatësi prej 7 km, që nis nga pika ekstreme e Pyllit të Sodës dhe vazhdon deri tek Tuneli i Ujit të Ftohtë.
Kjo do garantojw përmirësim të standardeve mjedisore, mundësi për shetitjen dhe argëtimin e qytetarëve, pushuesve vendas e të huaj, ekspozim të vlerave e traditave historike, sociale, qytetare e urbane. Projekti parashikon që në të të ketë hapësira të gjelbra, mjedise shërbimi, shetitjeje, arëgtimi.
Projekti i shetitores dhe vetë bregdeti i gjirit të Vlorës vlerësohen si pasuri rajonale. Në një qytet me sipërfaqe prej 2400 hetktarësh, ndërtimi i një shetitoreje me sipërfaqe prej 250 hektarësh, cilësohet si një potencial me vlerë të jashtëzakonshme edhe në raport me hapësira të ngjashme jo vetëm në Ballkan.
Projekti i shëtitores, që nisi me iniciativën e Kryeministrit Edi Rama, u publikua si ide në 28 nëntor të vitit të 2013, në Ditën e Festës së 101 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.