Partia Socialiste ka nisur sot procesin zgjedhor në 6 Bashkitë e qarkut të Fierit, për të zgjedhur aty kryetarët.
Në lidhje me këtë ka folur dhe drejtuesi i qarkut politik në Fier, kreu i Grupit të PS Taulant Balla. Balla është shprehur se ky qark do të aplikojë formulën e re e bashkëdrejtimit nga një burrë dhe grua edhe në nivelin e kryetarëve të partisë.
“Në drejtimin e PS në Fier ka qenë kolegu Petro Koçi i cili sipas statutit s’mund të jetë më kryetar partie për shkak se është deputet. Do ketë ndryshime, në Fier do jetë një prej qarqeve që do të aplikohet formula e re e bashkëdrejtimit edhe në nivelin e kryetarëve të partisë. Kjo formulë e re na jep mundësinë që këtu në Fier të aplikojmë mundësinë që partia të bashkëdrejtohet nga një burrë dhe një grua një vajzë dhe një djalë sepse ky është një model që ka rezultuar i suksesshëm.
Në të gjitha organizatat socialiste ku bashkëveprimi ka funksionuar rezultati ka qenë i mirë. Në Fier ku rezultatet tona janë më të mira do ta aplikojmë dhe në nivelin e kryetarëve të 6 bashkive. Synojmë të kemi një parti gjithmonë edhe më fituese”, tha Balla.