Hapësire reklamuese

Politikë

Nikolla letër kryeparlamentarëve të KiE: Shpresoj ta korrigjoni gabimin tragjik ndaj Shqipërisë dhe Kosovës për akuzat për trafikim organesh

Shkruar nga Newsbomb
Nikolla letër kryeparlamentarëve të KiE: Shpresoj ta korrigjoni

Pas kryeministrit Edi Rama dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i është drejtuar me një letër kryeparlamentarëve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.

Nikolla i informon ata në lidhje me mbi miratimin nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në 21 korrik 2022 të Rezolutës “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.

Ajo u ka kërkuar atyre që të mbështesin Shqipërinë dhe të korrigjohet gabimi për Shëipërinë dhe Kosovën sa i përket raportit të Dick Marty, për trafikimin e organeve.

"Shpresoj shumë në mbështetjen Tuaj personale, të anëtarëve të Parlamentit Tuaj si edhe të anëtarëve të delegacionit Tuaj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për korrigjimin e këtij gabimi tragjik ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, pasojat e të cilave vazhdojnë të dëmtojnë jo vetëm dy vendet tona, por edhe të drejtën e të vërtetën si edhe mirëkuptimin e paqen në rajon e më gjerë" thueht ndër të tjera në letër.

Letra e plotë:

Me anë të kësaj letre dëshiroj të sjell në vëmendjen Tuaj një çështje mjaft të rëndësishme që lidhet me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut si vlera thelbësore të sistemit demokratik dhe të qytetërimit bashkëkohor, të cilat qëndrojnë në themelet e Këshillit të Evropës, ku të dy vendet tona janë anëtare. Bëhet fjalë për të drejtën e vendit tim, Shqipërisë, si edhe të Kosovës, për të rivendosur dinjitetin e nëpërkëmbur nga disa dyshime tërësisht të pabazuara dhe të pavërteta mbi trafikun e organeve njerëzore në Shqipëri e Kosovë, që pretendohet të jenë kryer nga liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ju mund të jeni në dijeni mbi Rezolutën 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Për hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”.

Rezoluta e mësipërme bazohej në raportin e datës 7 janar 2011 të z. Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Ky raport u hartua në vijim të procedurës që nisi me mocionin për rezolutë të datës 15 Prill 2008, me autor ish anëtarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës , z. Konstantin Kosachev, nga Federata Ruse, Partia “United Russia” e Vladimir Putin, dhe Grupi Europian Demokrat.

Pikënisja e mocionit, raportit e mandej e Rezolutës 1782 (2011) ishin kujtimet e znj. Carla Del Ponte, ish Prokurore e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish Jugosllavinë, ICTY, nga viti 1991, e cila në librin e saj “Gjuetia: unë dhe kriminelët e luftës”, botuar dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe rreth tre muaj pasi kishte dhënë dorëheqjen si prokurore e ICTY, ngrinte dyshime se pjestarë e drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin kryer trajtime çnjerëzore të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe në Shqipëri.

Këto pretendime ishin hetuar edhe më parë nga zyra e ICTY gjatë mandatit të znj. Del Ponte, por nuk ishin gjetur prova për të bazuar pretendimet për kryerjen e këtyre krimeve të tmerrshme të vrasjes së njerëzve me qëllim marrjen e organeve njerëzore dhe trafikun e tyre nga ana e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë Rezoluta 1782 (2011) u miratua, duke i hapur kështu rrugë hetimeve për zbardhjen e së vërtetës.

Menjëherë pas miratimit të Rezolutës 1782 (2011), Bashkimi Europian ngriti Task Forcën Hetimore Speciale për të hetuar mbi pretendimet për trafik organesh, cituar në raportin e z. Dick Marty dhe nuk u gjet asnjë provë që t’i vërtetonte këto dyshime.

Dëshiroj të ve në dukje se autoritetet shqiptare bashkëpunuan ngushtësisht me Task Forcën Hetimore Speciale të Bashkimit Europian, duke ofruar gjithë ndihmën e ndërsjellë juridike, informacionet e kërkuara si dhe kryerjen e veprimeve përkatëse, me qëllim zbardhjen e të vërtetës mbi pretendimet për trafikun e organeve njerëzore në Kosovë e Shqipëri, madje u miratua edhe një ligj i posaçëm në funksion të ndihmës në hetime dhe nuk rezultoi asnjë provë e vetme që të provonte krimet e pretenduara për trafik organesh njerëzore.

Përveç hetimeve të Task Forcës së Bashkimit Evropian, Kosova pranoi të kryheshin hetime të tjera të specializuara për këto dyshime për trafik organesh njerëzore, duke parashikuar në Kushtetutën e Kosovës krijimin e Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë.

Kaloi më shumë se një dekadë dhe asnjë nga dyshimet dhe akuzat që qëndronin në thelb të kujtimeve të znj. Del Ponte, mocionit të z. Kosachev, raportit të z. Dick Marty dhe Rezolutës 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilat në Shqipëri, Kosovë e rajon ishin kundërshtuar fuqimisht që në momentin e publikimit të tyre, nuk u provuan.

Në akuzën e prokurorisë speciale paraqitur në vitin 2020 para Gjykatës Speciale në Hagë kundër liderëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës nuk ngrihet asnjë akuzë për trafikimin e organeve njerëzore.

Në këto kushte, në respekt të së drejtës dhe të vërtetës, më 21 korrik 2022 Kuvendi i Shqipërisë miratoi unanimisht Rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.”

Teksi i Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë iu dërgua autoriteteve dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 12 gusht 2022, përfshi dhe lutjen që t’i njoftohej secilit vend anëtar të Këshillit të Evropës.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të hartojë një raport vijues mbi Rezolutën 1782 (2011), në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, dhe fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara nga ku rezulton se pretendimet për trafikim të organeve njerëzore në Kosovë dhe në Shqipëri janë të pavërteta, të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara dhe duhet të njihen si të tilla nga të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Gjithashtu, në 12 tetor 2022, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, mbajti një fjalë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të cilin bëri të njohur dhe përmbajtjen e Rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë si edhe pathemeltësinë e akuzave mbi të cilat ishte miratuar Rezoluta e Këshillit të Evropës, duke nënvizuar gjithashtu se, për fat të keq, këto akuza vazhdojnë të ushqejnë armiqësinë dhe ksenofobinë ndaj shqiptarëve.

Shpresoj shumë në mbështetjen Tuaj personale, të anëtarëve të Parlamentit Tuaj si edhe të anëtarëve të delegacionit Tuaj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për korrigjimin e këtij gabimi tragjik ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, pasojat e të cilave vazhdojnë të dëmtojnë jo vetëm dy vendet tona, por edhe të drejtën e të vërtetën si edhe mirëkuptimin e paqen në rajon e më gjerë.

Kjo nuk është vetëm një kërkesë për të drejtën, të vërtetën dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe për kredibilitetin e organizatave politike ndërkombëtare dhe vlerat që ato përfaqësojnë e mbrojnë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu