Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka folur lidhur me situatën që Parlamenti ndodhet prej muajsh, teksa i ka bërë thirrje opozitës dhe mazhorancës për reflektim.
Në një intervistë të dhënë për “Top Channel”, Nikolla tha se e gjithë kjo situatë e krijuar ka ardhur si pasojë e ngërçit dhe krizës të thellë në Partinë Demokratike. Kryetarja theksoi se opozita ka të drejtë të përdorë çdo mjet demokratik dhe kushtetues për të ushtruar funksionin e saj, mirëpo kurrsesi të sjellë rrugën në Parlament apo dhe të bllokojë punën e deputetëve të cilët nuk janë në të njëjtën linjë mendimi me ta.
“Unë do doja të thosha që nuk është kthyer në krizë parlamentare, sepse në krizë parlamentare do nënkuptonte që Kuvendi i Shqipërisë nuk funksionon dhe nuk ushtron detyrën e tij kushtetuese për të marrë vendime, nuk jemi në këto kushte. Patjetër jemi në një situatë ku normaliteti, zhvillimi i seancave parlamentare nuk është konform rregullores së Kuvendit, ku deputetë të opozitës shkelin rregulloren dhe Kodin e Etikes.
Dhe ku, është përjashtuar le të themi debati i shëndetshëm politik për miratimin e projektligjeve. Më lejoni, t’ju them, se që me nisjen e kësaj legjislature dhe deri në momentin që flasim, ka pasur një krizë të thellë në Partinë Demokratike – që nga shtatori i 2021 gjë që përvijohet dhe po përpiqet të pozohet si krizë parlamentare. Është një krizë e brendshme e Partisë Demokratike. Opozita ka gjithë të drejtën të përdorë çdo mjet demokratik dhe kushtetues për të ushtruar funksionet e saja, por kurrsesi të sjelli rrugën e Parlament, apo rrugicën në Parlament, apo të bllokojë punën e deputetëve të tjerë që nuk mendojnë njësoj si ata”, tha Nikolla, teksa më tej theksoi se është Partia Demokratike ajo e cila duket të zgjidhë çështjen mes tyre, të zgjedhe kreun e Grupit Parlamentar dhe më pas është detyra e saj që të njoftojë Kuvendin dhe strukturat e tjera.
“Kështu që në këtë kuptim edhe të rregullores së Kuvendit, edhe të kushtetutës, topi nuk është në fushën e Kryetares së Kuvendit. Topi është në fushën e partisë demokratike, ato janë në konflikt. I janë drejtuar gjykatës. Duhet me rregullat e tyre të brendshme të zgjidhin këtë ngërç e më pas kryetarja e Kuvendit ka detyrimin ta njoftojë Kuvendin dhe gjithë strukturat e tjera”, shtoi Nikolla.