Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u paraqit paraditen e kësaj të marte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ashtu si dhe u bë me dije, ministri Peleshi shkoi në SPAK i vetëm, rreth orës 09:50 minuta, pasi më herët kishte marrë një fletëthirrje për t’u paraqitur në Prokurori në orën 10:00.
Burime për mediat bëjnë me dije se ministri është thirrur pranë ambienteve të këtij organi të lartë të drejtësisë në kuadër të hetimeve për Inceneratorin, marrëdhëniet me Klodian Zoton, si dhe për procedurën e matësve të ujit kur ka qenë në krye të Bashkisë së Korçës.
Ministri PEleshi duke u futur ne ambientet e SPAK
Karriera politike e Niko Peleshit ka filluar në tetor të vitit 2004, si Prefekt i Qarkut Korçë dhe e ushtron këtë funksion për një vit. Në vitin 2005, zgjidhet kryetar i Partisë Socialiste të qytetit të Korçës. Në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007, ai u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Korçës, për t’u rikonfirmuar edhe njëherë në zgjedhjet lokale të 2011-ës.
Prej Shtatorit të vitit 2013 Peleshi u emërua në postin e zv.Kryeministrit, pozicion të cilin e mbajti deri në maj të vitit 2017. Gjithashtu në periudhën shtator 2017-janar 2019, Peleshi ka shërbyer si ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Në janar 2021 ai u emërua Ministër i Mbrojtjes, post të cilin vijon ta mbajë edhe sot.