Këshilli i Lartë Gjyqësor në mbledhjen që ka zhvilluar dje ka kualifikuar dy gjyqtarë për vendet vakante në Gjykatën e Lartë dhe i ka dhënë 5 ditë kohë një kandidati tjetër për të dhënë shpjegime në lidhje me plotësimin e kushteve.
Dy gjyqtarët e kualifikuar janë Nertina Kosova dhe Artur Kalaja, ndërsa i ëSHtë lënë afat kanidatit nga radhët e juristëve të spikatur, Darjel Sina.
“Në përfundim të procedurave ligjore të verifikimit të plotë të kandidatëve nga radhët e gjyqtarëve, me qëllim funksionalizimin e plotë të Gjykatës së Lartë, Këshilli vendosi kualifikimin e znj. Nertina Kosova dhe z. Artur Kalaja, si dhe vijimin e procedurës së emërimit të tyre në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, në vijim të procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore, të kandidatit të fundit nga radhët e juristëve të spikatur, Këshilli vendosi t`i caktojë një afat pesë ditor z. Darjel Sina, për të dhënë shpjegime lidhur me plotësimin e kushteve dhe kritereve për anëtar të Gjykatës së Lartë të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, njofton KLGJ.
Më tej, në përfundim të procedurës së verifikimit, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidates Ornela Naqellari dhe vijimin e procedurës së emërimit në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Gjithashtu, në vijim të procedurës së verifikimit të thelluar të kritereve ligjore të pranimit, pasurisë dhe figurës, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatëve për magjistrat për pranimin në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2020-2021, përkatësisht z. Renis Sheshi, z. Orald Hoxha, znj. Dorina Alushi, znj. Ajshe Xhafa, znj. Anisa Brinja, znj. Dorentina Mulaj, znj. Elona Mërtiri dhe znj. Edona Vajushi.