Hapësire reklamuese

Politikë

Ngjela: Saliu i hyri rrugës së turpit historik. Është në hall se e pret ndëshkimi

Shkruar nga Newsbomb

Avokati Spartak Ngjela në një status në facebook, ka folur për drejtësinë në vendin tonë. Sipas tij Sali Berisha kërkon që të destabilizojë vendin për ti shpëtuar reformës në drejtësi.

Më tej Ngjela shprehet se faktori shqiptar në rajon po forcohet falë mbështetjes së amerikanëve.

Ngjela në Facebook:

Berisha bojkotoi zgjedhjet: interesi historik i Shqipërisë e ka në favor.

Berisha me një gjuhë apolitike, shpreson të destabilizojë Shqipërinë, që t'i shpëtojë pastrimit antikirrupsion.

Por a i ka mundësitë reale?

l.

Asgjë nuk mund të ndodhe: e vetmja shpresë e të mundurit, është që të mos ketë asnjë shpresë.

Lufta me Amerikën do forcë dhe jo lëngim. Saliu është nën një lëngim patologjik me gjithë grupin e tij që i trembet antikorrupsionit dhe nuk arrin të kuptojë se tani nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shohë me shqetësim rrjedhën e ngjarjeve antikorrupsion në Tiranë.

Ai nuk ka forcë, as të durojë atë që po i vjen, dhe as ta frenojë atë.

Drejtësia reale në Shqipëri është domosdoshmëri historike. Të gjithë shqiptarët duhet të jenë optimistë për këtë.

Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe forca amerikane është garancia e sigurt e stabilitetit shqiptar.

Keni për ta parë...

ll.

Shqipëria po hyn në një epokë të re; në epokën e pastrimit të krimit.

Shtyrja e Reformës në Drejtësi nga të tremburit prej saj i ka bezdisur shumë perëndimorët, sidomos politikën amerikane. Kurse të gjitha forcat që janë kundër aleancës shqiptaro-amerikane, i kanë drejtuar shpresat të korrupsioni shqiptar.

Në fakt ky është akti i fundit antishqiptar i Athinës, Shkupit dhe Beogradit; por është në fakt dëshpërim. Sot këta janë në mbështetje të destruksionit Berisha në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë historikisht me forcat retrograde e të korruptuara të Shqipërisë.

Por, a mund të ndodhë kjo?

Saliu shpreson te antishqiptarizmi ballkanik, kurse politika amerikane kuptohet se i ka marrë të gjitha masat.

Dhe ja shenjat që e provojnë këtë:

1. Neutralizimi i plotë i Ivanovit dhe Gruevskit në Shkup në favor të çështjes shqiptare në Maqedoni.

2. Tërheqja që i kërkuan kryeministrit shqiptar nga zgjedhjet në Kavajë, dhe përkrahja e paqes sociale që shprehu politika amerikane në favor të kryeministrit shqiptar, kur ky u largua nga zgjedhjet administrative në Kavajë.

3. Shprehja e hapur e interesit amerikan për botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor kundër destabilitetit që kërkohet nga sllavo-grekët kundër forcimit të faktorit shqiptar në Ballkan.

lll

Për të gjitha këto, kjo çështje tani është e mbyllur. Shqiptarët do të votojnë më 18 qershor. Prishja e zgjedhjeve, siç po llomotit Lulzim Basha është një pamundësi absolute.

Saliu ka gjetur një fëmijë që t'u flasë amerikanëve për luftë, por zgjedhjet në një vend delikat për NATO-n, janë elementi thelbësor i stabilitetit të qeverisjes.

Çdo përpjekje për destabilitet në një vend të konsideruar kyç për përplasje me kundërshtarët e aleancës atlantike, ndëshkohet nga forca e aleancës, në rastin e Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara.

lV

A do të përdorë forcë politika amerikane kundër korrupsionit shqiptar që po kërkon destabilizimin e Shqipërisë?

Sigurisht që po. Dhe me forcën e moralit që i jep situata proshqiptare në Shqipëri, shpejt do të shfaqet gjuha politike amerikane e ashpër dhe e drejtpërdrejtë kundër atij që është bashkuar me kundërshtarin e aleancës atlantike dhe interesit shqiptaro-amerikan.

Saliu i hyri rrugës së turpit historik. Sigurisht që ai është në hall kundrejt ndëshkimit antikorrupsion, por marrëzia e individit nën një presion psikologjik të këtij lloji, ka çmim shumë të rëndë për të paguar.

Gjithsesi shqiptarët janë sot të sigurt dhe të siguruar për të ardhmen e tyre perëndimore.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll