Hapësire reklamuese

OpEd

Ngjela: Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë, turp historik nëse ndodh

Shkruar nga Newsbomb
Ngjela: Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë, turp historik

Nga: Spartak Ngjela

Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë, nëse vërtet ndodh, do të jetë një turp historik.

Ata që e kërkojnë duan, që, me lakenjtë e tyre, të krijojnë pështjellim shoqërore në Kosovë...

I.

Nëse parlamenti i Kosovës do të pranojë të formojë Bashkësinë e Komunave Serbe, dhe, nëse edhe qeveria e Kosovës ka këtë formim, kjo tregon se në Kosovë drejtojnë filoserbët.

Çfarë janë filoserbët, agjentë të vjetër?

Jo, ky është një mendim qesharak.

Por, atëherë çfarë janë?

Janë të dhunuarit, të plaçkiturit dhe të keqtrajtuarit nga serbët.

Historia na ka treguar se, një pjesë e individëve të dhunuar nga pushtuesit e huaj, si rregull psikologjik, adhurojnë pushtuesit e tyre. Janë të shumtë ata individë ish-kolonish që, pasi kanë marrë pavarësinë e vendit të tyre, shprehen se "ishim shumë më mirë me pushtuesin", se sa me pavarësinë e vendit të tyre.

Kjo është arsyeja që spikat në ish-kolonitë që kanë qenë të pushtuara për një kohë të gjatë.

Koha ka treguar se  viktimat me ngarkesë të caktuar frike, që e kanë vijuar për një kohë të gjatë jetën e tyre nën një sundim kolonial, shpesh adhurojnë keqbërësin kolonialist.

Na duhet të vëmë në dukje se, nëpër kolonitë, represioni i pushtuesit ka pas krijuar te vendasit frikën dhe heroikën, domethënë të tremburit dhe heronjtë.

Unë kam takuar disa shqiptarë të Kosovës që e fshehin, por kanë "dashuri" për serbët.

Sigurisht, këta nuk mund të jenë shumicë në Parlamentin e Kosovës.

Por, fakti që ky është fenomen i psikologjisë njerëzore, dhe që ka ndodhur kudo mes kolonive, do të kalojë. Por, kujdesi duhet të jetë që këta filoserbë të mos jenë ndër krerët e drejtimit të qeverisë së Kosovës.

Jam i sigurt që Albin Kurti nuk do ta pranojë këtë ofendim të kombit shqiptar, i cili po ndërmerret me kast nga i munduri në luftë, që po kërkon të rimarrë veten me lakenjtë e Serbisë në Kosovë.

II.

Çdo shqiptar i Kosovës dhe çdo shqiptar i Shqipërisë duhet të jetë krenar që, pas 200 vjetësh, e ka mundur në luftë Serbinë, pushtuesin më mizor të Shqipërisë së Veriut, dhe, në këtë luftë i kanë marrë Serbisë Dardaninë. Dhe që kjo luftë vijon në favor të shqiptarëve, edhe pse nuk është e dukshme.

Lufta e madhe e shqiptarizmit e zhvilluar në vitin 1999, ka qenë një epope historike për shqiptarët. Pushtimi serb i Shqipërisë së Veriut është dëmi më i madh që i është shkaktuar shqiptarëve si popull dhe historisë së Shqipërisë në funksion të kombit shqiptar.

Por, çdo shqiptar duhet të kujtohet se, jashtë Shqipërisë është ende dhe 40 përqind e Dardanisë dhe e gjithë Çamëria -  domethënë: Janina, Thesprotia dhe Preveza.

Kurse sot po spikat thekshëm se, që nga Janina e deri në Prevezë, ka filluar e po vijon të rritet niveli i gjuhës shqipe, kurse çamërit e shpërngulur me genocid po presin rikthimin në tokat e tyre, sepse edhe për patriotizmin shqiptar, por edhe për mendimin e politikës amerikane, kjo padrejtësi e madhe kundër Shqipërisë do te rregullohet, për të hyrë në rrugën e drejtë historike dhe brenda interesit shqiptar.

Koha e vërtetoi se Shqipëria dhe Kosova do ta fitojnë drejtësinë historike për bashkimin në një shtet të vetëm shqiptar që quhet Shqipëri, të  gjashtë milionë shqiptarët e shpërndarë sot në katër  shtete të ndryshme, në: Greqi, Serbi, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese