Hapësire reklamuese

Politikë

Nga Vettingu tek Presidenti, bisedat e PS dhe PD përfshijnë gjithçka (E PLOTË NË BRENDËSI)

Shkruar nga Newsbomb
Nga Vettingu tek Presidenti, bisedat e PS dhe PD përfshijnë

Mazhoranca dhe opozita janë në diskutime që prej fillimit të sezonit të ri parlamentar për tu dakordësuar për vednimet që do të merren.

Dakordësia e parë mes PS dhe PD ishte ajo për ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Bëhet me dije se bisedimet vijojnë për t’u dakordësuar dhe për çështje të tjera.

“GazetaSi” shkruan se synimi kryesor është që të arrihet marëveshja se ku do të përqëndrohet dialogu në javët në vijim, apo muajt.

PS dhe PD duhet të dakordësohen për zgjatjen e mandatit të organeve të Vettingut, deri edhe për emrat për drejtuesit e institucioneve të pavarura.

Vettingu/ Zgjatja e mandatit të organeve të vettingut, që përfundon në korrik të vitit të ardhshëm po diskutohet me nismën e socialistëve. Dy janë rrugët, ose të ndryshohet Kushtetuta në pjesën ku flet për afatet e tyre, ose të lihet të skadojnë këto afate dhe procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar ende të kalojë në duart e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, ashtu siç e parashikon Kushtetuta.

Misionet ndërkombëtare që asistojnë këtë proces kanë sugjeruar të parën, me argumentimin që të ruhet i njëjti standard në këtë proces. PS publikisht e ka mbështetur këtë propozim, ndërsa PD ka heshtur.

Ndër vite PD ka kritikuar jo shpesh procesin e vettingut, megjithatë, burime thonë se “rezervat e opozitës për paanshmërinë e KLP dhe KLGj janë më të mëdha”, ndaj ka një dakordësi të heshtur për të dhënë votën pro zgjatjes së afateve të komisioneve aktuale të Vettingut, që janë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Por, vota pro e demokratëve për këto ndryshime kushtetuese duket se nuk do të jepet kaq lehtë. Ajo do të shoqërohet me kërkesat dhe garancinë nga socialistët për ndërhyrje në reformën administrative territoriale.

Reforma territoriale/ Ndarja aktuale administrative me reduktimin në 61 bashki nga 300 e ca bashki e komuna u miratua në korrik të 2014 me bojkotin e kundërshtimin e Partisë Demokratike. Zgjedhjet e para që pasuan me ndarjen e re, ato të qershorit 2015 prodhuan një rezultat zhgënyes për opozitën.

Nga 61 bashki, Partia Demokratike dhe aleatët e saj (pa LSI që ndodhej në koalicion me PS) mori vetëm 15 bashki. Nga bashkitë e mëdha, PD mori Shkodrën, Lezhën, Kukësin, Pogradecin dhe Kamzën.

Duke analizuar këtë rezultat, PD mendon se ndarja aktuale favorizon Partinë Socialiste dhe kërkon ndryshimin e saj, duke e rritur numrin e bashkive në rreth 100 të tilla. PS nga ana tjetër kërkon që ky numër të reduktohet edhe më shumë e të shkojë në rreth 40 bashki. Ndasia e mosbesimi mes palëve se pas këtyre propozimeve më shumë se një reformë territoriale efektive qëndrojnë arsye elektorale është e thellë.

Zgjedhjet (e parakohshme) vendore/ Vendi ka pak muaj që ka dalë nga një palë zgjedhje, por të dyja palët po përgatiten sërish për zgjedhje, ku “e panjohura mbetet koha e zhvillimit të tyre”. Pas fitores së 25 prillit porosia e shpeshtë e Ramës për socialistët kanë qenë përgatitjet për zgjedhjet e radhës, madje për këtë ka nisur edhe një proces riorganizimi të partisë.

PS thotë se përgatitjet po i bën për zgjedhjet e rregullta vendore të 2023-t, nga PD shpresojnë për në proces të parakohshëm. Zgjedhjet e parakohshme nga opozita kërkohen për të rihyrë në sistem edhe në pushtetin vendor sa më shpejt, edhe si mundësi për të zbutur pakënaqësitë në rritje në bazë dhe përgatitur për zgjedhjet parlamentare të 2025-s.

Çfarë mund të lëshohet? Sinjalet se ku do të këmbëngulin palët janë ende të vakta. Me kalimin e kohës ato do të qartësohen edhe më shumë. Megjithatë, thuhet se në varësi të ecurisë së bisedimeve për tema të tjera, PD mund të heqë dorë nga reforma territoriale në këmbim të zgjedhjeve të parakohshme vendore dhe e anasjella për PS.

Një sinjal për këtë u dha nga Shkodra nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, që në takimin e prezantimit të Edona Bilalit si drejtuese të re të partisë në këtë qark thuhet se kërkoi që strukturat të përgatiteshin për zgjedhje lokale pas dhjetorit. Gjiknuri i cilëson abuzime mediatike këto informacione. Por, ku ka zë nuk është pa gjë, thotë një fjalë e urtë popullore. Kjo do të thotë se zgjedhjet e parakohshme për bashkitë mund të mbahen nga 15 prilli deri më 15 maj 2022, sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor të ndryshuar sipas marrëveshjes së 5 qershorit të vitit të kaluar.

Kodi Zgjedhor/ Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi nivelin e herësit të aplikuar për zgjedhjet e 25 prillit, ndërhyrja në Kodin Zgjedhor do të bëhet. Ndryshimet duan shumicë të cilësuar prej 84 votash. PS, së bashku me tre deputetët e PSD-së shkon në 77 vota. Nëse në lojë do të përfshihet edhe LSI, numri shkon në 81 vota, duke mos e arritur këtë shumicë.

Për këtë arsye, bëhet i detyrueshëm konsensusi me Partinë Demokratike. Opozita po synon që në këtë pjesë, përveç korrigjimit të herësit të shtyjë edhe për disa ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me gjithë procesin zgjedhor. Propozime konkrete zyrtare e publike nuk ka, por mësohet se ato do të përqëndrohen sidomos në pjesën e hetimit të parregullsive dhe akuzave për shit-blerje të votave.

Presidenti/ Parashikimet kushtetuese për emrin e presidentit të ri nuk i detyrojnë socialistët që të kërkojnë me domosdo mbështetjen e Partisë Demokratike, sepse me një shumicë prej 77 votash mund ta zgjedhin lehtësisht atë. Por edhe pasuesi, apo pasuesja e Ilir Metës mund të bëhet pjesë e bisedimeve.

Asnjëra palë nuk ka propozuar emra konkretë deri më tani, por do të detyrohen që ta bëjnë atë më së largëti dy muaj para përfundimit të mandatit të Ilir Metës, më 22 korrik 2022 dhe më së afërmi në rast të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që po shqyrton shkarkimin e vendosur nga Kuvendi pararendës.

Çështje të tjera/ Në këtë pjesë janë një grup çështjesh që lidhen kryesisht me drejtuesit dhe bordet e institucioneve të pavarura, që nga Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë, pasi mandati i Gent Sejkos përfundon vitin e ardhshëm, e deri te drejtues e anëtarë bordesh të institucioneve të tjera, sidomos të atyre që janë zgjedhur pas djegies së mandateve në 2019 nga ana e opozitës.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Gazetari Eduard Ilnica është dhunuar barbarisht mbrëmjen e së hënës nga disa persona. Për shkak të një shkrimi botuar në gazetën lokale për ekipin e Kastriotit.

Sakaq, ka reaguar demokrati Genc Pollo që akuzon qeverinë për mosmarrje dënimi apo solidarizim për rastin në fjalë.

Pollo thotë se liria e shtypit ka rënë poshte.

“Edhe një gazetar tjetër i dhunuar barbarisht pasi bëri detyrën, raportoi për dhunën në stadium. Në mes të Tiranës! Asnjë dënim apo solidarizim nga qeveria, ministri i Brendshëm, i Sportit. Si dhe më parë. Liria e shtypit poshtë”, shprehet deputeti në një deklaratë për mediat.