Open Data Albania po hulumton mbi kontrata koncesionare apo Partneritete Publik Privat me mbështetje buxhetore për vitin 2019.
Sipas Relacionit të Projekt Buxhetit 2019 të publikuar nga Open Data Albania aktualisht, janë aktive me mbështetje buxhetore të vitit, njëmbëdhjetë kontrata koncesionare apo partneritete publik privat (PPP). Gjithashtu përgjatë vitit 2019 pritet të nisin dhe katër kontrata të reja, me ministri linje Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Gjatë vitit 2019 pagesa vjetore totale e parashikuar për kontratat koncesionare është dymbëdhjetë miliardë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë lekë (12,676,862,000 lekë). Pagesa vjetore përllogaritet të jetë sa tre për qind i të Ardhurave Tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.
Autoritetet Kontraktore të këtyre kontratave janë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale , Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe Bashkia Tiranë. Kjo e fundit është autoritet bashkë kontraktor me ministri linje në dy kontrata Koncesionare Partneritete Publik Privat.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë parashikon që për vitin 2019 pagesat për koncesionet me mbështetje buxhetore do të jenë gjashtë miliardë e dyqind e shtatëdhjetë e nëntë milionë lekë (6,279,779,000), apo 50% e totalit të shumës së kontratave me mbështetje buxhetore për vitin 2019. Mbi dyzet përqind e kësaj pagese do të shkojë për koncesionin Ndërtim dhe Operim i Rrugës së Arbërit . Buxheti i Shtetit 2019 parashikon se do të paguajë për këtë koncesion dy pikë gjashtë miliardë lekë. Kontrata koncesionare për ndërtimin dhe operimin e Rrugës së Arbërti ka si vit fillimi 2018-n dhe pritet që të zgjasë deri në vitin 2030. Edhe për vitet 2020 dhe 2021, pagesa për këtë koncesion pritet e njëjtë me vitin 2019.
Pas koncesionit për ndërtimin dhe operimin e Rrugës së Arbrit peshën më të madhe për sa i përket pagesave për koncesion ku Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është autoritet kontrakor, e mban kontrata për Rimbursimin e rrugëve zëvendësuese në HEC mbi lumin Devoll. Viti 2019 do të shënojë pagesën e fundit me një shumë prej një miliard e pesëqind e tetëdhjetë e katër milionë e katërqind e gjashtë mijë lekë (1,584,406,000).
Për inceneratorin e Fierit , Buxheti i Shtetit parashikon se do të paguhen rreth shtatëqind e pesëdhjetë e dy milionë lekë (752,772,000).
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si autoritet kontraktor i katër kontratave koncesionare, do të paguajë katër miliardë e pesëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tridhjetë e gjashtë mijë lekë (4,015,836,000) apo sa 32% e totalit të shumës së pagesave për koncesionet me mbështetje buxhetore në 2019-n.
Kontrata koncesionare Ofrimi i Setit të Perosnalizuar të Instrumentave Kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i sallave kirurgjikale ka një faturë për vitin 2019 të parashikuar prej një miliardë e gjashtëqind e shtatë milionë e njëqind e nëntë mijë lekë (1,607,109,000) apo sa 40% e totalit të faturës së koncesioneve që ka kontraktuar ky autoritet. Më pas renditen Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore, me tetëqind e tetëdhjetë e gjashtë milionë lekë (886,000,000 lekë), apo sa 22% i totalit të koncesioneve të kontraktuar nga kjo ministri. Ky koncesion do të duhej të fillonte dhe të shënonte kosto për buxhetin e shtetit që në vitin 2018, por nënshkrimi i kontratës pas shpallej së fituesit të tenderit është zvarritur duke mos u finalizuar as në vitin 2018. Kontrolli bazë i popullatës (check-up) do t’i kushtojë Buxhetit të Shtetit për vitin 2019 tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë e nëntëdhjetë mijë lekë (876,090,000), apo sa 21% e totalit të koncesioneve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Koncesioni i Ofrimit të shërbimit të dializës në pesë spitalet rajonale do të ketë një faturë prej gjashtëqind e dyzet e gjashtë milionë lekë (646,637,000) në 2019-n.
Ministira e Financave dhe Ekonomisë është autoritet kontraktor për kontratën koncesionare të Skanimit në Dogana. Sipas tabelës përmbledhëse në Relacionin e Buxhetit 2019, ky koncesion do të ketë një faturë prej një miliardë e gjashtëqind e njëzet e katër milionë e katërqind e nëntëmbëdhjetë mijë lekë (1,624,419,000) në 2019-n, sa 13% e totalit të koncesioneve me mbështetje buxhetore.
Dy kontrata koncesionare me mbështetje buxhetore kanë si autoritet kontraktor Bashkinë Tiranë me ministritë përkatës të linjës.
Inceneratori i Tiranës ka si autoritet kontraktor Bashkinë Tiranë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë . Pagesa vjetore për 2019-n për këtë koncesion llogaritet të jetë shtatqind e pesëdhjetë e gjashtë milionë e tetëqind e njëzet e tetë mijë lekë (756,828,000).
Ndërtimit i shkollave të Tiranës, me autoritet kontraktor Bashkinë Tiranë dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nuk parashikon pagesa edhe për këtë vit. Sipas tabelës përmbledhesë në relacionin e Buxhetit të Shtetit 2019 pagesat për këtë koncesion pritet që të fillojnë në 2020.
Në 2016-n me vendim të kryetarit të Bashkisë nr. 15742, datë 24.05.2016, është ngritur komisioni për ndjekjen e procedurave të koncesionit (PPP) me titull Për Përmirësimin e Infrastrukturës Arsimore të Bashkisë Tiranë për ndërtimin e 17 shkollave në Tiranë. Projekti do të zbatohet me Lote ku ndarja është bërë sipas njësive administrative të Bashkisë Tiranë ndërsa Objekti i Tenderimit është Projektim, Financim, Ndërtim, Mobilim, Mirëmbajtje, Mbikëqyrje dhe Kolaudim i objekteve arsimore Bashkia Tiranë. Deri më tani asnjë nga tenderat nuk është finalizuar me kontratë.
Ky projekt ëshë mbështetur edhe në taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore, të cilës i nënshtrohen të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës, e vendosur që prej vitit 2016.
Bashkia Tiranë në programin buxhetor afatmesëm sqaron se të ardhurat nga kjo taksë e përkoshme do të përdoren me qëllimin rikonstruksionin e objekteve arsimore, shkolla e kopshte si dhe të infrastrukturës arsimore të Bashkisë së Tiranës për ndertimin e shkollave e kopshteve të reja. Sipas relacionit në Programin Buxhetor afatmesëm për parashikimin e të ardhurave nga kjo taksë e përkohëshme nga 2016 deri në 2018, Bashkia Tiranë mbledh dy miliardë e gjashtëdhjetë milionë lekë (2,060,000,000).
Në vend funksionojnë rreth 220 shoqëri biznesi koncesionare. Të dhëna mbi shoqëri koncesionare të themeluara për zbatimin e marrëveshjeve dhe kontratave Koncesionare apo PPP janë të publikuara në portalin tonë Open Corporates Albania, rubrika shoqëri koncesionare. Po në këtë portal mund të aksesoret informacion në formatin opendata për një numër të gjerë shoqëri biznesi që veprojnë në vend. Ky informacion synon të njohë publikun me subjekte juridike që menaxhojnë kontrata publike; kontrata koncesionare apo PPP; zotërojnë licenca publike apo ofrojnë shërbime në vendin tonë. Qëllimi është transparenca; informacioni; kontrolli dhe edukimi qytetar. Portali Open Corporates Albania është dizenjuar me financim nga programi Lëviz Albania ndërsa katalogu me të dhëna mbi shoqëri Koncesionare apo shoqëri që zbatojnë marrëveshje të Partneritetit Publik Privat PPP është realizuar në kuadër të programit Money; Government and Politics, program i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Tiranë. Të dhëna në formatin open data janë të dhëna të publikuara në një format që është i lehtë për tu gjetur, përdorur dhe ripërdorur nga publiku. Çdo e dhënë e publikuar në një portal publik, mund të konvertohet në të dhëna të hapura open data dhe të bëhet i lexueshëm edhe nga makineritë (on line) e kërkimit (machine readable).