Tirana
scattered clouds
24.5 ° C
24.5 °
24.5 °
41 %
4.1kmh
40 %
Mër
23 °
Enj
24 °
Pre
25 °
Sht
28 °
Die
30 °
E mërkurë, 22 Shtator, 2021
spot_img

Nga Kuvendi i Shqipërisë, Mesila Doda bën thirrje për shpalljen ‘non grata’ të Ivanov, kërkon referendum si në Krime

spot_img

Lajme të ngjashëm

Deputetja e PDIU, Mesila Doda ka bërë thirrje nga Kuvendi i Shqipërisë që presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov të shpallet person ‘non grata’ nga qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës.

Doda tha se Ivanov ka nënshkruar zyrtarisht fundin e Republikës së Maqedonisë dhe se Shqipëria me Kosovën duhet të bashkohen për të ndihmuar shqiptarët në shtetin fqinj që të organizojnë referendumin për shkëputjen nga shteti i Maqedonisë.

“Sot, ata kanë vetëm dy rrugë: ose Presidenti Ivanov jep dorëheqjen si ekstremist i dhunshëm me qëndrime shoviniste antikushtetues, ose forcat politike të shqiptarëve duhet të mblidhen të gjitha bashkë dhe të shpallin mëvetësinë e Iliridës. Shteti shqiptar dhe ai i Kosovës të bashkërendojnë veprimet për të ndihmuar mbajtjen e referendumit nga shqiptarët e Iliridës, për të shpallur mëvetësinë e tyre. Gjeorgje Ivanov duhet të shpallet person “non grata” në gjithë hapësirën shqiptare”, ka thënë ndër të tjera Doda.

Skenari i Mesila Dodës për shkëputjen e së ashtuquajturës Ilirida (trevat shqiptare në Maqedoni) i ngjan shumë skenarit të ndodhur në Krime, ku Rusia mori gadishullin nëpërmjet një referendumi. Ndryshimi i vetëm në këtë rast është se Shqipëria dhe Kosova janë të papërfillshme krahasuar me fuqinë ushtarake, diplomatike dhe ekonomike të Rusisë, për të vepruar në mënyrë arbitrare siç Vladimir Putin bëri në 2014-ën.

Fjala e plotë e Mesila Dodës në Kuvend:

Të nderuara zonja deputete, zotërinj deputetë,

Sot ky Kuvend do duhej të ishte i mbledhur i gjithi bashkë me një qëndrim unik dhe një çështje themelore; Çështja e shqiptarëve të Maqedonisë.

Presidenti George Ivanov sot ka nënshkruar zyrtarisht fundin e Republikës së Maqedonisë, këtij shteti të sajuar në zyra burokratësh e që është e vështirë ta quash edhe eksperiment, pasi është eksperiment i konceptuar keq dhe i realizuar edhe më keq. Paradoksalisht, Presidenti albanofob refuzoi qeverinë e Zoran Zaev, vetëm e vetëm sepse kjo platformë qeverisëse shpallte gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, kusht ky i parashikuar qysh në krye të herës në Marrveshjen e Ohrit dhe kurrë e zbatuar.

Të nderuar kolegë,

Kemi qenë së bashku në këtë sallë, kur kam kërkuar ndërhyrjen urgjente të shtetit shqiptar për të siguruar të drejtat e shqiptarve të Maqedonisë, të asaj krahine që sot, nga kjo sallë po e quaj me emrin e saj të vërtetë Ilirida.

Shqiptarët e Iliridës kanë duruar masakra, vrasje, djegie shtëpish, bombardime ditën për diell nga shteti eksperimental, i cili do duhej teorikisht t’i mbronte. Kanë duruar diskriminimin, dhunën dhe përbuzjen dhe përsëri kanë dashur bashkëjetesën, sepse kanë zgjedhur që të jëtojnë edhe me të ndryshmin e tyre. Në vend të këtij qëndrimi më shumë se njerëzor, sot kanë marrë shuplakën e Ivanovit që shpalli armiqësinë me 800 mijë shqiptarë të Iliridës.

Sot, ata kanë vetëm dy rrugë: ose Presidenti Ivanov jep dorëheqjen si ekstremist i dhunshëm me qëndrime shoviniste antikushtetues, ose forcat politike të shqiptarëve duhet të mblidhen të gjitha bashkë dhe të shpallin mëvetësinë e Iliridës.

Shqiptarët atje janë sot të lënë në varfëri, injorancë dhe mundohen të trajtohen si ekstremistë islamikë. Kësaj fytyre të keqe, ne sot duhet t’i kundërvëmë drejtësinë, qytetarinë dhe bashkimin me një kauzë të vetme.

Kjo që ju them sot nuk është thirrje nacionaliste, është kërkesë e Kushtetutës sonë që të interesohemi për të drejtat e bashkombasve tanë kudo, ku ata jetojnë. E nëse i kanë lënë të jetojnë në një shtet që nuk i konsideron, që nuk i trajton si qytetarë dinjitozë, atëherë ata nuk meritojnë të lihen vetëm në fatin e tyre tragjik.

Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës duhet të kërkojnë urgjentisht mbledhjen e përbashkët të tryezës së forcave politike dhe të ndihmojnë vëllezërit e tyre që sot ndodhen në zgrip, prej goditjes më të ashpër që i ka ardhur nga kreu i shtetit, jo vetëm ndaj tyre, por edhe ndaj kancelarive botërore e që sot për Shkupin nuk kanë më asnjë domethënie.

Pikërisht, për këtë arsye sot do duhet të veprojmë kombëtarisht. Shkelim Kushtetutën tonë, nëse i lëmë vetëm shqiptarët e Iliridës. Do jemi dyfish të dënuar, nëse nuk përgjigjemi në mënyrë të menjëhershme dhe me po aq forcë sa aktet diskriminuese e fyese të një Presidenti që vret shtetin e vet.

Gjeorgje Ivanov duhet të shpallet person “non grata” në gjithë hapësirën shqiptare.

Shteti shqiptar dhe ai i Kosovës të bashkërendojnë veprimet për të ndihmuar mbajtjen e referendumit nga shqiptarët e Iliridës, për të shpallur mëvetësinë e tyre.

Ne jemi një komb! Askush nuk na e fal më të lëshojmë territore për të mbajtur pushtete.

Më shumë

spot_img