Një sasi floriri me vlerë rreth 4 milionë paund është konfiskuar nga autoritetet britanike, pasi u zbuluan në pjesën e bagazheve të një avioni në aeroportin Heathrow të Londrës gati tre vjet më parë.
Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) konfiskoi 104 kg shufra ari, disa në formë zemre, në qershor 2019 në një aeroplan që kishte mbërritur nga Ishujt Kajman dhe kishte ndaluar në Heathrow, rrugës për në Zvicër.
Ari ishte dërguar në ishujt Kajman me një avion privat i cili mbërriti nga Venezuela, Amerika e Jugut. Duke punuar me autoritetet në ishujt Kajman, NCA vërtetoi se dokumentet shoqëruese ishin falsifikuar nga kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, për të fshehur origjinën.
Pas diskutimeve me Gjykatën e Lartë, Agjencia Kombëtare e Krimit mori një urdhër rikuperimi civil - i cili kërkon prova se pasuritë ose pronat janë fituar me sjellje të paligjshme - për më shumë se 80% të arit. 20% e mbetur do t'u kthehet kompanive me interes financiar.
Komandanti i degës së NCA, Andy Noyes, tha: "Kriminelët tërhiqen nga ari si një mënyrë për të lëvizur paratë e drogës për shkak të vlerës së lartë që përmban në sasi relativisht të vogla. Kjo ndërhyrje ka prishur rrjetin kriminal, duke i ndaluar ata të riinvestonin në kriminalitet të mëtejshëm që shkakton dëme për komunitetet tona."