Pas pesë orësh të dhunshme është mbyllur protesta e organizuar nga opozita para Kryeministrisë.
Nisi si një protestë paqësore në orën 11:00, por vetëm gjysmë ore më pas protestuesit degraduan në dhunë për të vazhduar kështu deri në orën 14:00.
Protestuesit shkatërruan dyert e Kryeministrisë dhe Kërpudhën, e cilësuar si një objekt shumë i dashur për Kryeministrin.
Gjithashtu protestuesit tentuan t’i vënë flakën Kryeministrisë dhe pemëve jashtë saj, por punonjësit e policisë e shuan zjarrin në kohë rekord dhe gjatë gjithë kohës tentuan të largojnë nga hyrja e godinës protestuesit me ujë e gaz lotsjellës.
Pas pesë orësh të dhunshme dhe një takimi kokë më kokë me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhin, kreu i PD-së Lulzim Basha lajmëroi mbylljen e protestës, ndërkohë që bëri thirrje të mblidhen sërish të enjten në orën 10:00.
Si pasojë e kësaj proteste mbetën të plagosur 19 persona, ndër të cilët 9 policë, dy përfaqësues të medias dhe 8 protestues.
5 policë janë dërguar në QSUT, ndërsa 2 të tjerë janë dërguar në spitalin e Traumës me dëmtime në kokë dhe kurriz nga mjete të forta, ndërkohë 3 persona të tjerë po marrin trajtim në spitalet universitare të Tiranës.
Ndërkohë herë pas herë, pas akteve të dhunshme ndërkombëtarët, si Ambasada e BE-së në Tiranë, Delegacioni i Bashkimit Evropian, ambasadori britanik Duncan Norman dhe OSBE kanë bërë thirrje për përjashtimin e dhunës.
Kujtojmë se paralelisht me protestën në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një takim me qytetarët e Vlorës.