Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Nga Ardian Vehbiu: Një Zgarbi për shqiptarët

Shkruar nga Newsbomb

Nga Ardian Vehbiu

Nëse duam ta kujtojmë dikë që vdes, do të fillojmë me kontributet e tij unike, vlerat e tij si njeri, si qytetar dhe si mendje, ose për çfarë presim që ai të mbahet mend për mirë. Maks Veloja me siguri ka lënë gjurmë në kulturën e sotme shqiptare si arkitekt, si artist vizual, si eseist dhe si shkrimtar; por edhe me praninë e tij si qytetar, në jetën publike. Por i njëjti Maks Velo do të mbahet mend edhe për “eksternacionet” e tij, ose shqiptimet dhe pozicionimet haptazi kundër myslimanëve, Islamit, “veriorëve” dhe “kosovarëve” – të cilat i ka bërë në publik, shpesh edhe i nxitur nga intervistuesit dhe drejtuesit e emisioneve televizive ku shkonte si i ftuar. Edhe këto po ia kujtojnë, ndonjëherë me ashpërsi të madhe, tani që vdiq. E kam qortuar Velon haptazi për këto pozicionime banale, që në vitin 2014 (i gjeni referencat te po ky shkrim, që është botuar sot në Peizazhe të fjalës); por tani dua të shtoj se një njeri që sapo ka vdekur, nuk mund të vihet me shpatulla pas muri për banalitetet e tij dhe, sidomos, për ato sjellje të cilat nuk ia ndan dot nga trauma e burgut dhe e shkatërrimit të veprës.

Ndodh edhe e kundërta: disa miq e dashamirës të mirëfilltë të Maksit ia përmendin këtij tani për virtyt, faktin që nuk dinte t’i vinte fre gojës dhe të thoshte gjëra kontroversiale që të tjerët veç i mendonin, për çfarë edhe e ftonin në talk show-t, për ta përdorur si joshë. Paçka se “eksternacionet” e Velos kundër myslimanëve, veriorëve, kosovarëve, çeçenëve, malokëve, unë do t’i interpretoja si jehonë dhe rimarrje e paragjykimeve dhe reflekseve folklorike provinciale të çdo njeriu të kapur në befasi nga zhvillimet kulturore dhe demografike të pas 1990-ës; në kombinim me paragjykime të tjera provinciale, që Maksi mbase i sillte me vete që nga fëmijëria. Këto paragjykime na “ngjiten” njëlloj si viruset; nuk janë tonat individuale në origjinë, por të jashtme dhe të gatshme, të cilat i bëjmë tonat pa dashur, në një përpjekje auto-psikoterapeutike për t’u dhënë zgjidhje të lehtë problemeve munduese. Unë nuk di që i ndjeri t’i ketë aktualizuar ndonjëherë në veprime konkrete – dhe as t’i ketë artikuluar, përtej muhabeteve të kafenesë; Maksi mund të rrinte gjithë ditën me “myslimanë” a me “veriorë”, të hante dhe të pinte me ta, pastaj të shkonte të fliste kundër “myslimanëve” dhe “veriorëve” në mbrëmje, në një talk-show televiziv, ku moderatorët mund edhe ta trajtonin si ndonjë bejtexhi mejhanesh që e kish gati vargun dhe epitetin për gjithkënd, por duke ia shpërfillur ndërkohë mendjen e ndritur prej artisti, arkitekti dhe urbanisti, siç e kish shprehur shumë herë në veprën e vet poliedrike (si do t’i shpjegonin detraktorët e sotëm të Velos motivet vizuale tipike veriore në grafikën e tij?).

Si konspiracist safí, i mbërthyer nga paranoja, edhe Maksi besonte se e kish gjetur shkakun “unik” të halleve të Shqipërisë dhe të plagëve të shoqërisë shqiptare. Nuk do ta quaja “antishqiptar” (një epitet që tash mund të përdoret veç me ironi), por më shumë “të pashqiptarizuar mirë”, në kuptimin që ndonjëherë dukej sikur i kish mbetur ora në kohën e Anastas Lakçes; dhe fobitë e tij sociale e fetare do t’i shihja si po aq mbetje të periudhës dhe të mendësisë otomane, sa edhe “primitivizmat” anadollake që me aq pasion i stigmatizonte në publik. Por le të mos harrojmë: i ndjeri nuk synonte gjë të imponohej si ideolog dhe agjitator anti-mysliman dhe as të prezantohej si nxitës militant i konflikteve mes Veriut dhe Jugut, ose shqiptarit dhe kosovarit; përkundrazi, të linte përshtypjen e një shpirti të lënduar dhe të zhgënjyer, që nuk gjente dot prehje, dhe të cilin mass mediat u tunduan ta shfrytëzojnë, duke e cytur të artikulonte publikisht paragjykimet tona kolektive dhe ndonjëherë duke ia veshur me zor paljaçetat e lolos.

Ndaj intelektualit dhe artistit, parapëlqyen eksternatorin spektakolar dhe diskursin e tij sa kontroversial aq edhe banal (dhe invektivat e tij ad hominem kundër atyre që i kishin bërë, sipas tij, padrejtësi ose i kishin ngrënë hakun). Një lloj Vittorio Sgarbi, për publikun shqiptar; të cilit tani së fundi po i matej suksesi dhe popullariteti me aftësinë që kish për të nxjerrë në shesh stereotipitë dhe të palarat tona. Ky Maks i “eksternacioneve” deri diku e eklipsoi Maksin arkitekt, artist, eseist, estet dhe shkrimtar, dhe për fat të keq, aq të papjekur jemi, sa gjithsekush e përdori vdekjen e tij për të riprodhuar pozicionin e vet publik – siç kam frikë se po bëj edhe unë vetë këtu duke shkruar këta rreshta.

Marrë nga “Peizazhe të fjalës”

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll