Deputeti socialist Bujar Çela nuk kishte një leje aktive për të vazhduar punimet për ndërtimin e një fabrike me funksion tregtimin dhe magazinimin e produkteve industriale. Newsbomb.al ka siguruar detaje ekskluzive nga grupi hetimor, të cilat tregojnë një paligjshmëri të madhe deri në skandal.
Burimet tona kanë bërë me dije se Çela kishte aplikuar për t'u pajisur me leje ndërtimi mbi pasurinë që kanë në pronësi në zonën e njohur si "Ish Plastmasi" në Lushnjë në ditët e fundit të Gushtit 2023 dhe në javët e para të Shtatorit, brenda rreth 25 ditësh kishte marrë përgjigje pozitive.
Nëse për një qytetar apo një biznes të zakonshëm duhen minimumi 90 ditë që kërkesa të shqyrtohet, për deputetin afatet nuk janë marrë parasysh dhe brenda 25 ditëve ai ka marrë në dorë lejen e ndërtimit.
Newsbomb.al mëson po ashtu, se bëhet fjalë për një pasuri me sipërfaqe totale më shumë se 4.500 m2 dhe për të cilën ishte kërkuar leje ndërtimi me sipërfaqe 1.000 m2.
Pas gati katër muajsh, në ditët e fundit të Dhjetorit 2023 është konstatuar se në dosje kishte mungesë të theksuar të dokumenteve thelbësore dhe shtetasi Bujar Çela, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, është njoftuar për REFUZIM TË FILLIMIT TË PUNIMEVE.
Mirëpo, nga siguria dhe ndikimi që i jepte posti i deputetit, Bujar Çela ka vazhduar punimet PA LEJE nga institucionet shtetërore.
Ajo që e bën më skandaloze gjithë këtë procedurë, është fakti se deputeti socialist edhe përse kishte marrë leje për ndërtim 1.000 m2 brenda sipërfaqes totale e cila më pas u refuzua, kishte tejkaluar gjurmën duke ndërtuar në një hapësirë prej 4.000 m2. Pra, mirë që po punohej pa leje, por ishte tejkaluar dhe leja e parë që u refuzua pas disa muajsh për mungesë dokumentesh.
[caption id="attachment_792005" align="alignnone" width="1224"] Kantieri i punimeve ne Lushnje i shkaterruar nga shperthimi[/caption]
Newsbomb.al ka mësuar nga burime të sigurta brenda grupit hetimor se Bujar Çela kishte aplikuar vetë për lejen e ndërtimit dhe si zhvillues ishte paraqitur po vetë. Skandali vijon edhe më tej, kur nga verifikimi ka rezultuar se punimet kryheshin JASHTË KUSHTEVE TEKNIKO-LIGJORE, sepse deputeti pronar nuk kishte kontraktuar një firmë ndërtimi.
Lexo edhe: Shpërthimi që mori dy jetë, si ndërroi Bujar Çela pronësinë e fabrikës pasi u bë deputet
Pra, puna bëhej nga punonjës që merrnin para në dorë dhe nuk ishin të siguruar në asnjë institucion shtetëror, duke shkelur me të dyja këmbët ligjet, edhe në këtë rast.
Përgjegjësia bie edhe mbi Bashkinë e Lushnjës e drejtuar nga kryetarja socialiste Eriselda Sefa, konkretisht Drejtoria e Urbanistikës, të cilët të ndikuar ndoshta nga influenca e deputetit Bujar Çela i kanë dhënë leje ndërtimi në mungesë dokumentacioni dhe brenda një afati jonormal, për 25 ditë.
[caption id="attachment_792006" align="alignnone" width="937"] Momenti kur deputeti Bujar Çela mberrin te Trauma[/caption]
Ndërkohë, newsbomb.al mëson nga grupi hetimor se me përgjegjësi penale pritet të ngarkohet dhe Bujar Çela, i cili nuk ka njoftuar Inspektoriatin e Ndërtimit për refuzimin e lejes së ndërtimit, të cilët duhet të shkonin më pas në objekt për të konstatuar nëse punimet ishin ndaluar apo po vazhdonin pa leje.
Po ashtu, deputeti socialist edhe përse fillimisht ka marrë leje ndërtimi për një sipërfaqe 1.000 m2, ka dalë jashtë gjurmës duke ndërtuar në katërfishin e saj, pra mbi 4.000 m2. Bujar Çela duhet të kishte ndalur menjëherë punimet dhe të njoftonte autoritetet për refuzimin e lejes, por ka vepruar duke mos marrë parasysh asnjë parashikim të ligjit shqiptar.
Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, personi që kishte aplikuar për leje dhe po zhvillonte vetë punimet, nuk ka zbatuar asnjë kusht të sigurisë tekniko-ligjore, e që për pasojë i mori jetën shtetasit Roland Hoxha dhe djalit të tij 20 vjeçar, si dhe mbetën të plagosur shtatë shtetas të tjerë, mes tyre dhe vetë deputeti.
Bujar Çela ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi javën e kaluar në një fabrikë pranë vendit të njohur si Ish-Rrethrrotullimi i Plastmasit në Lushnjë. Newsbomb.al mëson se Çela ka probleme të theksuara me dëgjimin, sepse ka qenë pranë zonës së shpërthimit.
Gjithashtu, deputeti socialist ka pësuar tronditje nga gjithë ngjarja që ka ndodhur dhe ka një çarje në pjesën e barkut, nga materialet e forta që janë shpërndarë në ajër nga forca e shpërthimit dhe ndodhet në Spitalin e Traumës.
© Ky artikull është ekskluziv i redaksisë së Newsbomb.al dhe ndalohet ribotimi i tij pa cituar burimin!