
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, sot ka deklaruar se ripërtëritja e pasurimit të uraniumit nga Irani dëshmon se ky vend po synon të prodhojë armë bërthamore, pavarësisht se e mohon këtë.
Ndërkohë mediat e huaja bëjnë me dije se sot Irani rifilloi pasurimin e uraniumit në 20%, gjë që paraqet shkeljen më të madhe të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore.
Në një deklaratë për mediat Netanyahu ka thënë se ky veprim nuk mund të shpjegohet në asnjë mënyrë, vetëm si realizimi i vazhdueshëm i qëllimit të Iranit për të zhvilluar një program ushtarak bërthamor. “Izraeli nuk do të lejojë Iranin të prodhojë armë bërthamore”, shtoi ai.
Netanyahu ndër të tjera ka argumentuar gjatë dhe ashpër kundër marrëveshjes së vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Teheranit.
Ndërkohë Bashkimi Evropian paralajmëroi të hënën se lëvizja e Iranit për të pasuruar uranium në 20% do të ishte një “largim i konsiderueshëm” nga angazhimet e Teheranit sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.