Nesër 28 nëntor pritet të ketë reshje intensive shiu në të gjithë vendin. Sipas ekspertëve të Institutit të Gjeoshkencave reshjet do të jenë të përqëndruara dhe me intensitet më të lartë në veri dhe në jug të territorit.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Korcë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqtje të dherave.
Për rrjedhojë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen problem me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
• Në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje lokalisht deri shumë intensive.
• Në qarqet Dibër, Lezhë priten reshje intensive dhe në qarqet e tjera priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.
• Reshjet pritet të shoqërohen me shtërngata në të gjitha qarqet.
[caption id="attachment_759901" align="alignnone" width="300"] Harta me zonat ku rrezikohet të ketë vërshime © Credits: Agjencia Kombetare e Mbrojtjes Civile[/caption]
Në verilindje-lindje në lartësin mbi 400 metra dhe në lartësinë mbi 800-900 metra në lindje-juglindje reshjet priten të jenë në formën e dëborës me intesitet të ulët deri mesatar.
Ndërkohë në datën 29.11.2023, parashikohet hera- herës reshje shiu në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Në zonat malore në veri-lindje në lartësinë mbi 600 metra dhe në lartësinë mbi 800-900 metra në lindje – juglindje reshjet priten të jenë në formën e dëborës me intesitet të ulët deri mesatar.
Priten ngrica të forta përgjatë akseve rrugore kryesisht në zonat malore.
Për pasojë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile apelon bashkitë nëpërmjet një postimi në Facebook, të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gadishmëri mjetet për t'ju ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje.
“Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t'ju ndihmuar dhe për t'ju ofruar këshilla në kohë reale.
Në kohët e sfidave, unitet dhe ndihma ndaj njëri-tjetrit janë thelbësore. Le të bëhemi një komunitet i përgjegjshëm dhe të jemi në ndihmë të njëri-tjetrit në çdo moment”, shkruan Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në Facebook.