Hapësire reklamuese

Aktualitet

Nesër seancë në Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit për studentët e Mjekësisë

Shkruar nga Newsbomb

Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë nesër 21 dhjetor seancë për shfuqizimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në muajin korrik për studentët e Mjekësisë.

Ligji në fjalë parashikon tarifa më të larta universitare për studentët e Mjekësisë që nuk pranojnë që pas përfundimit të studimeve të punojnë për një periudhë të paktën 5-vjeçare në sistemin shëndetësor të vendit tonë.

Kërkesa për shfuqizimin e ligjit është bërë nga studentët, me objekt “Shfuqizimi i nenit 4, pikat 1, shkronja “c”, 2, shkronja “b”, 3, shkronja “b” dhe nenit 5, fjalia e parë, të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ligji u kundërshtua nga studentët e Mjekësisë, të cilët dolën edhe në protesta dhe së bashku me një grup deputetësh të opozitës dërguan në Gjykatën Kushtetuese ligjin e miratuar në Kuvend me propozim të qeverisë.

Studentët e Mjekësisë dërguan në Kushtetuese ligjin për Mjekësinë, i cili detyronte ata të qëndronin në vend për 5 vite ose të paguanin rreth 2400 euro vitin shkollor.

Ndërkohë, më herët në krah të tyre u pozicionua edhe rektori i UMT, Arben Gjata. Pas një muaji bojkot dhe protestash studentët e mjekësisë u rikthyen në auditore. Gjatë një takimi Gjata u premtoi studentëve që deri në marrjen e vendimit nga ana e Gjykatës ata nuk do të kenë kushte për plotësimin e kontratës.

Prej datës 2 tetor që nisi dhe viti i ri Akademik, studentët bojkotuan mësimin në shenjë proteste për të kundërshtuar ligjin e ri për Mjekësinë.

LEXO EDHE: Tjetër fitore për studentët e Mjekësisë, Kushtetuesja pezullon zbatimin e ligjit

Si do i bllokonte ligji diplomat e studentëve të Mjekësisë.

Referuar ligjit të miratuar në Kuvend, studentët e Mjekësisë duhet të nënshkruanin marrëveshjen para ose pas regjistrimit si fitues në programin e Mjekësisë së Përgjithshme, me Ministrinë e Arsimit, atë të Shëndetësisë dhe institucionin e arsimit të lartë publik, për të punuar në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve, për jo më pak se 5 (pesë) vite në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë.

Me nënshkrimin e marrëveshjes, studenti do pranonte kalimin zyrtarisht të diplomës përkatëse të arsimit të lartë nga institucioni publik i arsimit të lartë, ku ka përfunduar studimet, në institucionin shëndetësor ku punësohet, deri në shlyerjen e detyrimeve për punësim sipas afatit 5 (pesë)-vjeçar, me të drejtën që pas përmbushjes së detyrimit të punësimit të tërhiqte diplomën universitare.

Në të kundërt, nëse studenti nuk do të pranonte të nënshkruante marrëveshjen për të punuar në një institucion shëndetësor në Republikën e Shqipërisë, publik ose privat, nga data e lindjes të së drejtës për punësim me Ministrinë përgjegjëse për Arsimin, Ministrinë përgjegjëse për Shëndetësinë dhe institucionin e arsimit të lartë publik, do të paguanin vlerën e plotë të kostos së studimeve.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese