Do të zhvillohet nesër seanca në Gjykatën Kushtetuese ku Elvis Rroshi do të kërkojë shfuqizimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Rroshi i konsideron antikushtetuese këto dy vendime dhe kërkon rikthimin në detyrë si kryebashkiak i Kavajës.
Në ankimimin e depozituar në gjykatë thuhet: “Kërkesa ka të bëjë me vendimarrjen e institucioneve që detyruan Këshillin e Ministrave për të shkarkuar kryetarin e Bashkisë, kryesisht nga procedurat e KQZ u spikat momenti që detyrimi i KQZ ka qenë të administronte vendimet e formës së prerë zyrtarisht, dosje, gjë që nuk e ka bërë. Në të kundërt mbrojtja dhe vetë kryetari i Bashkisë ka depozituar aktet zyrtare të autoriteteve të huaja që ai është i padënuar penalisht. Së dyti kemi kundërshtuar vendimin e Këshillit të Ministrave, një vendim që bie ndesh me parimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe veçanërisht me Kushtetutën shqiptare. Kemi argumentuar se sanksionet që parashikon ligji për dekriminalizimin janë natyrisht penale dhe si të tilla nuk mund të kenë kurrsesi fuqi prapavepruese”.
Prokuroria e akuzon Elvis Rroshin për fshehje të dënimit për përdhunim në grup në vitin 1995 në Itali, përdorimin e disa emrave në Zvicër, dëbimi nga ky shtet dhe hetimet për pastrim parash dhe trafik droge. Sipas Prokurorisë, Rroshi nuk i ka bërë të ditura këto informacione në formularin e Dekriminalizimit, por kryebashkiaku i pezulluar i Kavajës i mohon ato.