Hapësire reklamuese

Aktualitet

Nesër fillon Muaji i Ramazanit, kreu i KMSH-së MESAZH për besimtarët myslimanë (VIDEO)

Shkruar nga Newsbomb

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu ka dhënë një mesazh një ditë para fillimit të Muajit të Ramazanit, për të gjithë besimtarët myslimanë.

Spahiu ka uruar të gjithë besimtarët që allahu t'ja pranojë agjërimin, pasi thotë se agjërimi i afron ata me vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, sinqeritetit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit.

"Të nderuar besimtarë, koha në të cilën jetojmë shfaq probleme të shumta, më shqetësuese janë ato që ndodhin brenda familjes shqiptare ku shpeshherë ekuilibrat dhe vlerat lëkunden, duke prishur mbarëvajtjen e jetës shoqërore në tërësi. Lus Zotin që ky muaj i begatë e i paqtë të na kthejë vëmendjen tek familja, tek lidhja e mrekullueshme mes pjestarëve të saj", thotë ai ndër të tjera.

Urimi i Kryetarit të KMSH-së:

Bismilahi Rrahmani Rrahim
Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.

Nesër me datë 6 maj është dita e parë e Muajit të Bekuar të Ramazanit.

Agjërimi në Islam është niveli më i lartë i përmirësimit të karakterit moral e shpirtëror, duke i afruar besimtarët me vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, sinqeritetit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit.

Allahu i Gjithëmëshirshëm në Kur’anin Famëlartë, thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që e dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (El-Bekare, 185).

Të nderuar besimtarë, koha në të cilën jetojmë shfaq probleme të shumta, më shqetësuese janë ato që ndodhin brenda familjes shqiptare ku shpeshherë ekuilibrat dhe vlerat lëkunden, duke prishur mbarëvajtjen e jetës shoqërore në tërësi.

Lus Zotin që ky muaj i begatë e i paqtë të na kthejë vëmendjen tek familja, tek lidhja e mrekullueshme mes pjestarëve të saj.

Prindër të dashur, transmetoni tek familjet tuaja mesazhin e dashurisë dhe paqes, edukojini fëmijët tuaj me dashuri për atdheun, për tjetrin dhe jetën. Jepuni atyre shpresë! Kaloni më shumë kohë me familjen që ta bëni gjithnjë e më të fortë shtyllën më të rëndësishme të shoqërisë.

Të nderuar motra dhe vëllezër,

Ramazani është një ftesë hyjnore e përvitshme drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Zotin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë. Ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërueshëm është momenti i duhur ti kërkojmë Zotit falje.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare, kudo që gjendeni, lus Allahun të na i pranojë agjërimin, adhurimet dhe veprat e mira, ky muaj na sjelltë begati, mirësi, paqe në familjet tona, dhe në mbarë shoqërinë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu