Hapësire reklamuese

OpEd

Nëse është përgjysmuar popullsia, kush do të votojë për opozitën?

Shkruar nga Newsbomb
Nëse është përgjysmuar popullsia, kush do të

Nga Eduard Zaloshnja

Berisha ka disa muaj që deklaron se popullsia banuese në Shqipëri është përgjysmuar në dekadën e fundit. E përkthyer në shifra të thjeshta arithmetike, i bie që në Shqipëri të kenë mbetur vetëm 1.4 milionë banorë (me çilimij, të rritur e pleq gjithsej).

Po vetëm para tetë muajsh, votuan zyrtarisht në Shqipëri plot 1.4 milionë zgjedhës (18 vjeç e sipër, sipas KQZ-së së kryesur nga Celibashi). Të kenë votuar edhe çiliminjtë? Apo zbarkuan qindra mijra emigrantë me anije e aeroplanë atë fundjave në Shqipëri? (Sipas të dhënave zyrtare të TIMS, rreth 30 mijë shtetas shqiptarë dolën nga Shqipëria, e vetëm 41 mijë u futën në fundjavën e 14 majit 2023).

Sidoqoftë, le të supozojmë për një çast se pas zgjedhjeve të 14 majit të vjetshëm, ka ndodhur një eksod biblik, ku qindra mijra shqiptarë u larguan nga sytë këmbët pas fitores së socialistëve në pothuaj çdo bashki të vendit. Por nëse sot kanë mbetur vetëm 1.4 milionë banorë (siç pretendon Berisha), i bie që të kenë mbetur vetëm 1 milionë zgjedhës këtu (sepse rreth 400 mijë i bie të jenë fëmijë dhe adoleshentë). Dhe si mund të fitojë opozita (edhe sikur të jetë super e bashkuar) në një situatë të tillë demografike?

Para 8 muajsh, sipas KQZ-së, rreth 800 mijë zgjedhës votuan për kryebashkiakë socialistë (rreth 600 mijë votuan për kryebashkiakë opozitare të BF, PD, etj. etj.). Dhe në fakt, për PS-në dhe satelitët e saj të vegjël kanë votuar rregullisht rreth 800 mijë zgjedhës qysh nga 2009-ta e deri më sot (si kur Rama ishte në opozitë, edhe tani që është në pozitë).

Pra ngrihet pyetja: Si do të përballet Berisha me murin elektoral 800-mijësh të Ramës, kur beson se vetëm 1 milion zgjedhës kanë mbetur gjithsej në Shqipëri? Shpreson se do të zbarkojnë qindra mijra emigrantë opozitarë me anije e aeroplanë për të votuar në ditën e zgjedhjeve? Apo shpreson se do të arrihet votimi elektronik i emigrantëve deri më 2025?

Po edhe nëse u krijohet mundësia e votimit elektronik, a do të votojnë qindra mijra emigrantë për opozitën???

Po emigrantë të majtë nuk ekzistokan???

Për çfarë kryebashkiakësh votuan faktikisht banorët e rritur më 14 maj 2023
Për kryebashkiakë % Votuesit e 14 majit
Socialistë 39.2% 800,000
Opozitarë 29.4% 600,000
Nuk votuan* 31.4% 640,000

*Vlerësim statistikor i përafërt i mosvotuesve të këtushëm

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese