
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka fyer presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani pas një deklarate të kësaj të fundit dhënë për revistën “Der Spiegel”, lidhur me genocidin serb në Kosovë.
Politikani serb e ka keqinterpretuar deklaratën e Osmanit, e cila ka thënë se Serbia duhet të ulet në gjunjë për krimet ndaj Kosovës dhe si kundërpërgjigje, Vulin e ka fyer Osmanin duke i përmendur fizikun.
“Nëse Osmani do të kishte fytyrën siç e ka barkun, për gënjeshtrat që thotë, gjatë do të përkulej para ‘shtëpisë së verdhë’”, ka thënë Vulin.
Teksa gazetari ka pyetur Osmanin se pse e përdor termin genocid për krimet që ka kryer Serbia, presidentja është shprehur:
“E kam zgjedhur nocionin genocid me vetëdije. Ai përshkruan qëllimin e një vendi për të shfarosur një komb. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur në Kosovë. E kam fjalën për ngjarjet në Mejë, e njohur si ‘Srebrenica e Kosovës’, dhe në Poklek, ku jo vetëm janë vrarë 54 fëmijë dhe plaka, por pastaj edhe janë djegur. Qëllimi ka qenë që të zhduken nga faqja e dheut. Willy Brandt ka thënë njëherë se kur mungojnë fjalët, duhet rënë në gjunjë. Pikërisht këtë e presim nga Serbia: rënien në gjunjë”.