Pas një beteje të gjatë, prej muajsh në Kuvend për ngritjen e Komisioneve Hetimore, këtë të hënë do të nisë punën Komisioni i parë hetimor, ai për Koncesionet në Shëndetësi.
Kryetarja e këtij komisioni, Albana Vokshi, ka thirrur në orën 11:00 mbledhjen e parë të Komisionit, që përgjatë 4 muajve do të bëjë hetimin parlamentar të dy koncesioneve të dhëna në shëndetësi, Sterilizimin dhe Check-Up, të dyja këto koncesione janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Deri më tani lidhur me koncesionin e sterilizimit kanë rënë në pranga ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj pasi akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe mashtrim. Ndërsa, gjykata ka kërkuar hetime edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.
Sipas prokurorisë, Rrjepaj manipuloi kostot e shërbimit ndërsa transferoi fitimet në formën e kontratave të konsulencës te një kompani e cila ishte gjithashtu nën pronësinë e tij dhe që kishte vetëm një klient të madh, pra kompaninë koncesionare. Pasi prokurorët nuk gjetën fillimisht vepër penale nga ana e ish-ministrit Ilir Beqaj, gjykata urdhëroi hetime të mëtejshme, të cilat sollën thirrjen e tij si të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Ndërsa, rezultatet e hetimit për koncesionin e Check Up nuk janë ende të ditura.
Komisioni Hetimor për Shëndetësinë iu dha drita jeshile të enjten e kaluar në Kuvend. Me 95 vota pro, 71 prej të cilave nga PS dhe vetëm 24 nga pala kërkuese, opozita, u mirartua ngritja e këtij Komisioni.
Ai përbëhet nga kryetarja Albana Vokshi, nën kryetar Plarent Ndreca si dhe 13 anëtarët 7 nga PS dhe 6 nga PD.
Anëtarët e Komisionit Hetimor në Shëndetësi:
1- Albana Vokshi Kryetar PD
2- Plarent Ndreca Nënkryetar PS
3- Klodiana Spahiu Anëtar PS
4- Milva Ekonomi Anëtar PS
5- Ilirjan Pendavinji Anëtar PS
6- Ilir Metaj Anëtar PS
7- Edona Bilali Anëtar PS
8- Petro Koçi Anëtar PS
9-Klevis Xhoxhi Anëtar PS
10- Zheni Gjergji Anëtar PD
11- Ina Zhupa Anëtar PD
12- Edmond Spaho Anëtar PD
13- Saimir Korreshi Anëtar PD
14- Xhelal Mziu Anëtar PD
15- Petrit Vasili Anëtar PD
Anëtarët Zëvendësues
1- Lavdrim Krashi Anëtar zëvendësues PS
2- Mirela Pitushi Anëtar zëvendësues PS
3- Emilia Koliqi Anëtar zëvendësues PD
4- Ilda Dhori Anëtar zëvendësues PD
Sakaq deputeti demokrat, Dashnor Sula, u shpreh më herët se mbledhja e e cila do të mbahet këtë të hënë do të jetë “show” tani që mazhoranca ka ndryshuar ligjet për komisionet.
“Do pres një “show” debati në pamundësi të një aksesi të plotë ndër dokumentet dhe provat pasi këto e kanë ndryshuar. Kanë ndryshuar gjithçka, është prishur struktura, duke filluar që nga transparenca e publikut.
Ajo është kontrollori viziv. Këto dhe për ekspertët edhe për dëshmitarët, edhe provat e për shumë të tjerat është domenit i mazhorancës. Ky është problem i madh.
Ky komision e humbi legjitimitetin. Kur u dha vendimi i Gjykatës Kushtetuese që duhet të ishte implementuar vota e diasporës. Është e patolerueshme, për dy bashkëkryetarët që nuk tirrnin komisionin. Janë 4 deri në 5 propozime. Është vota emigrantët, votimi elektronik sistemi zgjedhore. Propozimet duhet të ishin bërë”, tha Sula.