Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Negociatat/ Ata që na premtuan shtet Rilindje apo Republikë të re, mbeten përgjegjësit kryesorë të dështimit të vjetshëm dhe të sivjetshëm

Shkruar nga Newsbomb

Nga Afrim Krasniqi

Shqipëria nuk arriti të marrë një vlerësim pozitiv nga BE lidhur me bisedimet për anëtarësim. Nuk arriti më 2017, më 2018 dhe as tani më 2019. Vitin e kaluar Shqipërisë iu la në dispozicion 12 muaj për të pasur rezultate konkrete në shtatë kriteret bazë, - ku hyjnë reforma në drejtësi, reforma zgjedhore, masat anti-korrupsion, masat kundër krimit të organizuar, reforma në administratën publike, etj. Pas një viti asnjëra nga këto reforma nuk ka ende rezultate të prekshme. Shqipëria shkoi në Luksemburg me kartat e një vendi në krizë të thellë politike, pa reformë zgjedhore dhe pa zgjedhje, pa Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë, pa SPAK dhe Prokuror të Përgjithshëm, pa asnjë zyrtar të lartë në pranga, me proces shkarkimi për Presidentin, me vetëm 3 nga 40 grupe kriminale të arrestuara dhe me një administratë të kontrolluar nga partia në pushtet.

Projekti se vendimi do të shtyhej në vjeshtë u prezantua në fillim të vitit 2019 dhe se vota kritike e Gjermanisë, Holandës, Danimarkës apo Francës, - me përjashtim të kësaj të fundit, nuk është votë ndëshkuese apriori ndaj zgjerimit, por votë konstruktive kritike që kërkon të nxisë reforma dhe reflektim në Tiranë.

Përpara se të krijojmë mitet e viktimës politike në vendimmarrjet gjeopolitike, le të shikojmë disa fakte të thjeshta: klasa politike shqiptare ka muaj të tërë që viziton kryeqendrat evropiane, njëra palë duke tundur flamurin e legjitimitetit dhe akuzuar opozitën si fatkeqësi për vendin dhe pala tjetër duke akuzuar palën në qeveri për lidhje me krimin e organizuar. Imagjinoni veten diplomat e politikan në Berlin, Amsterdam, Kopenhagën apo Paris dhe të prisni dërgata nga Shqipëria që nxijnë njëra tjetrën, që më shumë lobojnë për penalizim të palës tjetër shqiptare sesa për lobim për Shqipërinë? Imagjinoni diplomatë e politikanë të lartë evropianë që prej një viti marrin premtimin se në fund të qershorit, pra në ditët e vendimit mbi Shqipërinë, do të kemi edhe Gjykatë Kushtetuese, edhe Gjykatë të Lartë, edhe SPAK, edhe Prokuror të Përgjithshëm, edhe proces ndaj një ish ministri, edhe arrestime në nivele të larta? Pyetja e parë mbetet: përse në fund-qershor e jo më herët, dhe e dyta, përse ende vetëm premtime dhe jo rezultate konkrete?

Ndaj edhe vendimi për të shtyrë vlerësimin në tetor 2019 është një test vlerësimi edhe për këto premtime, - nëse vërtetë deri atëherë do të kemi të paktën 5 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, 7 anëtarë në Gjykatën e Lartë, 1 Prokuror të Përgjithshëm dhe 10 prokurorë të SPAK, nëse do kemi zgjedhje lokale dhe nëse do të kemi ndonjë person VIP në përballje reale me drejtësinë.

Në tërë këtë histori ka disa të vërteta që duhen thënë dhe që mund të jenë më domethënëse sesa vetë loja me konferenca shtypi në dy anët e bregut të Lanës, në MPJ, kryeministri apo në selinë e opozitës.

E para, është e qartë se asnjë prej liderëve kryesorë politikë dhe asnjë parti kryesore politike nuk e ka prioritet real vendimin pozitiv të Brukselit për bisedimet e mundshme për anëtarësim. Integrimi nuk është më kauzë që sjell vota elektorale dhe se sa më shumë integrim aq më shumë rritet kontrolli i Brukselit ndaj Tiranës dhe për pasojë, aq më shumë kufizohet hapësira e drejtimit korruptive e arrogant të elitës politike në Tiranë.

E dyta, reforma në drejtësi mbetet më shumë produkt ndërkombëtar sesa produkt vendor. Për pasojë, asnjëra palë politike, përfshirë qeverinë dhe opozitën, nuk kanë interes për jetësimin e institucioneve realisht të pavarura të drejtësisë, dhe për më tepër, strukturën e SPAK. Ato I frikësohen hetimeve të mundshme, i frikësohen një sistemi jashtë kontrollit të tyre ndaj edhe si më 2016 dhe 2017, janë të gatshme për një akord të ri të personalizuar për të penguar ecurinë e reformës, sidomos përbërjen dhe fokusin e SPAK.

E treta, në Tiranë nuk ka asnjë projekt real serioz për reformë zgjedhore dhe politike. Vetë emërimi bashkëkryetar i reformës nga një politikan që shkëlqeu duke menaxhuar “çunat problematikë” në Dibër, është sinjal se nuk ka reformë të vërtetë dhe se nuk do të lejohet ndonjë reformë reale për sa kohë ekziston konsensusi i heshtur për këtë midis qeverisë dhe opozitës. Alibia e reformës e përdorur si karem për deputetët e rinj aksidentalë në parlament, është pa ndikim në këtë proces.

E katërta, Tirana zyrtare e djeshme dhe e sotme nuk mund të ketë sukses ndaj krimit të organizuar dhe as ndaj korrupsionit për sa kohë që sistemi korruptiv është krijuar nga vetë drejtuesit kryesorë, ushqehet prej tyre, mbrohet prej tyre, promovohet prej tyre, imponohet prej tyre dhe menaxhohet prej tyre. Shqipëria harxhoi tre vjet debate e përpjekje për të larguar nga Kuvendi katër deputetë me dosje kriminale në vendet e BE, imagjinoni sa vite do ti duhen për të larguar nga jeta politike disa dhjetëra politikanë, zyrtarë, drejtues policie e entesh publike, aktivistë politikë e kandidatë, të cilët kanë sponsorim nga bota e krimit, janë imponuar prej tyre, mbrohen prej tyre dhe u shërbejnë atyre. Shqipëria, për shkak të konceptit të pengmarrjes politike të sistemit, po harxhon më shumë se dy vjet për të dërguar një dosje kriminale të një ish ministri në gjykatë, imagjinoni sa vite do të duhen të gjykohen ministra e deputetë, kryeministra e presidentë, siç bënë kroatët, rumunët, sllovakët, sllovenët apo bullgarët.

E fundit, shoqëria shqiptare është shoqëri para-demokratike në konceptet e saj për shtetin dhe demokracinë. Midis reagimit ndaj të keqes dhe konformitetit me të keqen zgjedh të dytën, midis përballjes me sfidat dhe ikjes prej tyre zgjedh gjithashtu të dytën. Presioni publik ndaj elitës përgjegjëse politike majtas e djathtas, është minimal, dhe se partitë politike, megjithëse rënien e mbështetjes, mbeten potencialet e vetme të reagimit publik. Kujtimet e protestës studentore të dhjetorit 2018 mbeten përjashtim në një shoqëri, ku palë që qeveris nuk është ajo që bën reforma apo punë të mira, por ajo që kontrollon më mirë shoqërinë dhe që menaxhon më mirë varfërinë dhe të varfrit.

Vendimi i paralajmëruar i Brukselit për shtyrje të vlerësimit për Shqipërinë, mund të ishte edhe më negativ, nëse pranohej ndarja me Maqedoninë Veriore. Ne po përfitojmë nga fqinji për të fshehur problemet tona, por se koha deri në tetor 2019, nuk është e nuk mund të jetë kohë pushimi veror apo argëtimi në Pezë, Jalë e Gjirin e Lalzit.

Qeverisë i takon të ofrojë zgjidhje serioze për krizën e 30 qershorit dhe për të gjitha kërkesat e vendeve të BE, opozitës i takon të përfshihet në sistemin legjitim dhe të marrë përgjegjësitë e saj. Midis dy akteve ka disa variante që mund të çojnë në zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme. Koha të përballemi me to dhe me faktin se ata që na premtuan të bëjmë shtet, rilindje apo republikë të re, - ata dhe vagonët bosh të partizave aleate, - janë e mbeten përgjegjësit kryesorë të dështimit të vjetshëm, të sivjetshëm dhe pengmarrësit e demokracisë, ndryshimit dhe të ardhmes së kësaj vendi, 30 vjet nga përmbysja e regjimit prej të cilit burojnë sot elitat e vjetra dhe të reja politike.

 

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll