Ashtu siç është njoftuar ditën e sotme Partia Socialiste mbledh Asamblenë Kombëtare. Në prag të ndërrimit të viteve, kjo mbledhje vjen si rrallë ndonjëeherë jashtë radhe.
Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama mblodhi edhe Kryesinë e partisë. Ndonëse nuk dha shumë detaje, Rama u shpreh për mediat se kanë lexuar mesazhin e protestës së studentëve, ndërsa pranoi se do të ketë një formatim të PS. Lidhur me këtë gjatë këtyre ditëve është përfolur se do të ketë ndryshime rrënjësore në qeveri.
Kjo vjen edhe si pasojë e protestave të studentëve gjatë dhjetorit, por edhe për faktin se një pjesë e ministrave në qëveri kanë pothuajse 5 vjet pa lëvizur.
Sipas asaj që është publikuar në media këto ditë, mësohet se Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste do të nisë me fjalën e kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili do të bëjë një analizë të qeverisë së tij në një vit, por me fokus ngjarjet e fundit. Mbetet për t'u parë nëse kryeministri Rama do t'i komunikojë gjatë mbledhjes së Asamblesë në ish hotel "Sheraton" këto ndryshime të pretenduara.
Më pas, Asambleja do të hyjë në proceset organizative të PS-së, e kryesisht me hapjen e partisë për më shumë të rinj dhe gra. Mësohet se Asambleja do të miratojë një propozim për të përfshirë në çdo organizatë dhe forum të PS-së 30 për qind gra dhe 30 për qind të rinj.