Hapësire reklamuese

Aktualitet

Në “portofolin” e të huajve apo pasuri e patundshme e Shqipërisë?! Në duart e kujt ka përfunduar Butrinti?

Shkruar nga Newsbomb
“Butrinti u dha me koncesion”  ishte akuza më e zakonshme e muajve të kaluar në Parlament kur qeveria mbronte marrëveshjen e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për menaxhimin e tij. Edhe pse ka qenë akuzë që përsëritet, nëpërmjet këtij raportimi, do të japim me argumenta dhe fakte se akuza e përsëritur në Parlament dhe e mbrojtur nga eksponentë të shoqërisë civile është dezinformim i opionit publik, për sitin më të rëndësishëm shqiptar të Arkeologjisë. Pas hartimit të këtij plani, i njohur ndryshe dhe si Plani i menaxhimit të integruar për Parkun e Butrintit, ka patur një sërë “përplasjesh” mes mazhorancës dhe opozitës. Më 23 Maj të vitit 2022 ishte Kuvendi i cili tha fjalën e fundit pasi miratoi me 75 vota “pro” marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, duke finalizuar kështu edhe fitoren e mazhorancës pas “raundeve” të debateve në studio televizive apo dhe në seanca plenare me forcën tjetër politike. Me skepticizëm, kritikët e vlerësuan këtë marrëveshje se qeveria synon të japë me koncesion Butrintin te të huajt. Tashmë prej kohësh kjo është akuza kryesore e opozitës dhe disa eksponentëve të shoqërisë civile të cilët protesojnë kundër projektit për zhvillimin e Parkut të Butrintit i cili është në ruajtje në UNESCO-s që prej vitit 1992. Por a është e vërtetë që Parku i Butrintit është dhënë me koncesion te të huajt? Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila ka qenë një ndër personat e parë që ka ngritur shqetësimin e dhënies me koncesion të Butrintit, për “Newsbomb.al”  ka ripërsëritur akuzat se pasuria e shqiptarëve po i jepet në duar të huajve, të cilët do e trajtojnë Butrintin si “mall tregtar” për interesat e tyre. Deputetja ngulmon se koncesioni i Butrintit është antikushtetues, pasi Kushtetua e Shqipërisë e thotë qartazi se shteti duhet të jetë garant për ruajtjen e pasurisë dhe trashëgimisë kulturore. “Jemi një vit mbas marrëveshjes së Butrintit dhe siç ju e dini unë vërtet e kam kundërshtuar edhe e kundërshtoj jo vetëm në deklarata publike, por tashmë edhe në Gjykatë Kushtetuese ku siç e dini seancën e parë publike plenare e kemi më 15 qershor. Koncesioni i Butrintit është për tu kundërshtuar sepse nuk ka një rast të tillë në botë, në të gjithë vendet që kanë miratuar Konventën e Parisit dhe që janë pjesë e pasurive UNESCO që të japin me koncesion pasuritë kombëtare një privati. Pavarësisht se kush është private dhe pavarësisht nëse ka emër të mirë apo emër të panjohur. Koncesioni i Butrintit është joligjor, jokushetues , sepse Kushtetuta e Shqipërisë thotë që “Garante për ruajtjen e pasurisë kombëtare, trashëgimisë kulturore, është shteti sepse shteti duhet të ketë prioritet, pikërisht identitetin kombëtar, historinë, edhe të ketë mundësi që ta ruajë këtë për ta transmetuar te brezat e ardhshëm.” Ndërsa, një privat e trajton Butrintin si mall tregtar, dhe ka prioritet fitimin, ka prioritet se si të arrijë që të fitojë më shumë para”, tha ajo. Sa i përket anëtarëve të bordit të këtij fondacioni, Zhupa shprehet se për herë të parë në këtë koncesion shteti shqiptar është në raportin 1 me 5, ku ministrja e Kulturës, Elva Margariti është vetë pjesë dhe jo si Ministri Kulture, por vetë ajo personalisht. “Është vetë ministrja funksionare pjesë e këtij fondacioni dhe ministrja me emër si Elva Margariti dhe jo si ministre e Kulturës dhe ndërkohë 4 individët e tjerë janë idividë privatë. Janë dy CEO-t e ADF, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, është një juriste Fjona Boriçi dhe është ai më i rrezikshmi për Butrintin Richard Hodges”, tha Zhupa, teksa më pas listoi dhe arsyen e tretë se pse ajo konteston që kjo marrëveshje është koncesion. Sipas deputetes, arkeologu britanik Richard Hodges ka marrë përsipër që të drejtojë gjithçka në Butrint, duke filluar nga kërkimet, shfaqjet deri te interpretimi i gjetjeve. E teksa jemi vetëm një vit larg nga firmosja e marrëveshjes për menaxhimin e Butrintit, Zhupa thotë se kanë filluar të konkretizohen ato që ajo kishte denoncuar më herët, pra ndërtimet. Pretendimi i deputetes Ina Zhupa është mbështetur edhe nga ambientalisti Sazan Guri. Në një prononcim për “Newsbomb.al”, Guri u shpreh se kjo marrëveshje bie në kundërshtim me frymën e UNESCO-s, pasi zona të tilla, të mbrojtura, nuk u jepen shoqërive private.  Gjithashtu ai listoi një sërë arsyesh të tjera se pse mendon se Butrinti po i jepet me koncesion Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillimin (AADF), ku një prej tyre është fakti që të gjitha të ardhurat do të shkojnë në shërbim të këtij fondacioni dhe jo të publikut shqiptar apo të vlerave kulturore. “Qeveria arrin ta japë me koncesion një kompanie të huaj që bie në kundërshtim me frymën e UNESCO-s sepse zona të tilla nuk u jepen shoqërive private. Është me koncesion sepse të gjitha të ardhurat që vijnë nga menaxhimi i taksave të Butrintit shkojnë vetëm për atë që e menaxhon, normalisht duhet të shkonte në shërbim të vlerave kulturore dhe trashëgimisë së kombit shqiptar, por të gjitha shkojnë vetëm për kompaninë 100%”, tha Guri. [caption id="attachment_642381" align="alignnone" width="744"]Ambientalisti Sazan Guri Ambientalisti Sazan Guri[/caption] “Mendoj se është koncesion sepse mendohet si e drejtë ekskluzive e këtij fondacioni. Është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës Shqiptare, pasi është një nen i përgatitur në 2018, ligji i trashëgimisë kulturore, i përgatitur po nga vetë ky fondacion dhe Parlamenti në 2022 mblidhet dhe miraton një ligj i cili quhet ligj specifil, i posaçëm, në shërbim të një personi, në shërbim të një fondacioni. Kjo është shumë e dhimbshme, e papranueshme. Parlamenti u mblodh për të miratuar një ligj i sjellë nga fondacioni për fondacionin. Vetë ligji i jep të drejtë të hartohet ligji i rimenaxhimit të Butrintit me të njëjtat dëshira dhe kërkesa që ka fondacioni dhe nuk është në shërbim të publikut shqiptar. Kështu në këto kushte këta vetë po e thonë që është një koncesion dhe po përmbush të gjitha parametrat e një koncesionari”, shtoi ai. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe profesori Neritan Ceka i cili është shprehur se s’ishte nevoja për një tjetër fondacion për menaxhimin e Butrintit, pasi ekziston ai i cili është ngritur me firmën e kryeministrit Edi Rama në vitin 2004, asoj kohe ministër i Kulturës. Një tjetër problematikë e cila qëndron në këtë marrëveshje sipas profesorit është që përfaqësuesit e shtetit duhet të vinin nga zyrat dhe jo si emra, pasi sipas tij kjo gjë do të krijojë probleme kur ata të ikin nga postet e tyre. “Kundërshtimi im personal, por besoj që është edhe i ‘Akademisë së Shkencave’ ka qenë kryesisht në anë formale. Pra, si akt juridik krijimi i fondacionit i cili është një fondacion publik, ashtu si dhe është marrëveshja midis fondit Amerikan për Zhvillim dhe Ministrisë së Kulturës, domethënë përfaqësuesit, e shtetit të paktën publik duhet të vinin nga zyrat e tyre, jo si emra. Sepse kjo ngre gjithmonë problemin se kur të ikin nga postet e tyre përfaqësuesit zyrtarë duhet të vijnë përsëri ata që janë emëruar në vend të tyre. Dhe kjo mund të krijojë edhe probleme në të ardhmen”, tha Ceka. Sipas tij, do të ishte më mirë që ky fondacion që është i dalë nga Fondi Amerikan Shqiptar i Zhvillimit, i cili ka dhënë prova të mira për mënyrën e administrimit, si Pazari i Tiranës apo dhe ai i Korçës, të sillnin një mënyrë të re administrimi dhe jo një formë e cila sipas profesorit, duke e importuar nga jashtë në mënyrë artificiale. Gjithashtu ai tha se do të ishte më mirë që ky fondacion të merrte në menaxhim Parkun Arkeologjik të Lezhës, ku t’i jepej një mënyrë e re administrimi dhe jo Parkun Kombëtar të Butrintit, i cili vetëm nga biletat mbledh 2 milionë euro në vit. Por, të kalojmë te marrëveshja e firmosur mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillimin. Në dokumentin e plotë thuhet se fondacioni AADF “Albanian-American Development Foundation”, ka shprehur interesin për krijimin e një fondacioni të posaçëm për administrimin indirekt të Pasurisë Kulturore, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Më tej thuhet se Fondacioni menaxhues do të ketë të drejtën e pronësisë intelektuale mbi Butrintin si dhe të drejtën për kryerjen e gërmimeve të reja arkeologjike, por që theksohet se do të jetë jofitimprurëse nga ana e fondacionit. “Në datën 24.02.2021, Ministria dhe AADF kanë lidhur Marrëveshjen e Bashkëpunimit (sikurse është përkufizuar më poshtë) për themelimin e fondacionit të posaçëm për administrimin indirekt të Pasurisë Kulturore;  Në datën 21.07.2021 me anë të vendimit nr. 858 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u krijua Fondacioni, në formën e një organizate të pavarur me qëllime jofitimprurëse pa anëtarësi dhe me objekt administrimin indirekt të Pasurisë Kulturore” thuhet në dokument.

Zbardhet e plotë marrëveshj... by Newsbomb Albania

Në kahun tjetër, akuzat e ngritura lidhur me koncesionin e Butrintit janë hedhur poshtë edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës si dhe nga vetë Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillimin, të cilët thonë se këto pretendime janë të pabaza dhe të pavërteta. Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, Zerina Bruci, u shpreh se Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit, është një fondacion shqiptar të cilit i është dhënë e drejta për menaxhimin, mirëpo pronësia do të vijojë të jetë e shtetit shqiptar. “Në fakt është me keqardhje se duhet t'i përgjigjem përsëri një pyetje e cila është adresuar në shumë momente nga të gjithë pjesëtarët dhe palët e përfshira në këtë proces. Fondacioni për menaxhimin e Butrintit, është një fondacion shqiptar i themeluar në bazë të kuadrit ligjor shqiptar dhe bazuar në marrëveshjen e administrimin gëzon të drejtat e administrimit e pasurive kulturore në Parkun Kombëtar të Butrintit. E vërteta është kjo! Fondacionit i jepet e drejta për menaxhimin e pasurive kulturore në parkun Kombëtar të Butrintit nën zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, ndërkohë që pronësia e tyre është dhe mbetet dhe do të vazhdojë të jetë e shtetit shqiptar”, tha Bruci. Më tej, ajo sqaroi se ministria e Kulturës si bashkëthemeluese e fondacionit për menaxhimin e Butrintit, ruan rolin e saj për ruajtjen, monitorimin, mbrojtjen konservimin e pasurive kulturore të Parkut Kombëtar të Butrintit.  Për më tepër Bruci thekson se ministria, gjatë gjithë veprimtarisë së Fondacionit është në monitorim të vazhdueshëm se si ky fondacion kryen administrimin e pasurive kulturore të Parkut të Butrintit. Ndërkohë, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin, shprehet se në rastin e Parkut Kombëtar të Butrintit, AADF i ofroi ndihmë Ministrisë së Kulturës për hartimin e manxhimit të parkut dhe kjo ndihmë është ofruar pas një kërkese për asistencë nga Ministria e Kulturës, pasi afati i vlefshmërisë së planeve të mëparshme kishte përfunduar. Në reagimin e tyre për “Newsbomb.al”, AADF thotë se qëllimi i tyre ka qenë të identifikohen modele dhe praktika të sukseshme të përdorura nga UNESCO për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Parkut Kombëtar të Butrintit. Gjithashtu ata thonë se si në rastin e mbi 70 projekteve të tjera të AADF  edhe në këtë projekt fondacionit i është ndaluar të ketë pronësi të çdo lloji, gjë e cila tregon se ata nuk mund të posedojnë ose kontrollojnë asete në projektet ku kanë ndihmuar. “Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) është një organizatë jofitimprurëse e themeluar në bazë të një marrëveshjeje midis qeverive shqiptare dhe amerikane. Qëllimi i kryesor i AADF-së është të kontribuojë permes donacioneve për të krijuar sisteme të qëndrueshme në fushën e edukimit, lidershipit, turizmit kulturor dhe sipërmarrjes. Kjo do të thotë se AADF punon për të përmirësuar këto fusha dhe të ndihmojë në zhvillimin e tyre. Si në rastin e mbi 70 projekteve të tjera të AADF-së, edhe në projektin e Butrintit, AADF-së i është ndaluar të ketë pronësi të çdo lloji. Kjo do të thotë që AADF-ja nuk mund të posedojë ose të kontrollojë asete në projektet ku ka ndihmuar”, tha AADF. Ndërkohë, lidhur me akuzat e bëra nga opozita AADF thekson se si një organizatë jofitimprurëse nuk i lejohet të kryejë aktivitete financiare me qëllim përfitimi. Roli i Fondacionit është të ofrojë ndihmë dhe të kontribuojë në zhvillimin e projekteve, por përgjegjësia për menaxhimin e pronësisë dhe projekteve mbetet te institucionet dhe autoritetet shtetërore, në këtë rast Ministria e Kulturës. Opozita shqiptare dhe arkeologë të ndryshëm janë skeptikë lidhur me marrëveshjen e ministrisë së Kulturës me Fondacionin Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit, për menaxhimin e Parkut të Butrintit. Akuza e ngritur prej tyre është se kjo marrëveshje është koncesion dhe Parku i Butrintit po i jepet “në tabaka” të huajve, ndonëse thuhet qartë që pasuritë kombëtare duhet të menaxhohen nga vetë shteti shqiptar. [caption id="attachment_707806" align="alignnone" width="1357"]Parku Kombetar i Butrintit “Kengo Kuma & Associates” u shpall fituese e Konkursit Ndërkombëtar mes 4 studiove të arkitekturës për hartimin e projektit për Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit[/caption] Akuza këto të hedhura poshtë nga përfaqësues të ministrisë së Kulturës si dhe nga vetë Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin të cilët kanë ritheksuar se e vërteta e gjithë kësaj zhurme është ajo e paraqitur në dokumente dhe e thënë disa herë nga vetë ata, se Butrinti nuk po jepet me koncesion dhe çdo lëvizje që po bëhet dhe do të bëhet nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim është në monitorim të vazhdueshëm nga vetë ministria e Kulturës. Butrinti për herë të parë u zbulua nga italiani Luigi Ugolini në vitin 1934, ku dhe vijoi të bënte disa ekspedita dhe gërmimet e shumta e shtynë ta quajnë atë Pompei Shqiptar, duke vazhduar më pas me humulmtimet e tjera të rëndësishme. Ndërkohë që sot ky sit i rëndësishëm arkeologjik pret me mijëra turistë në vit nga e gjithë bota. Vetëm vitin e kaluar, në 2022, përgjatë tetë muajve Butrinti u vizitua nga 56.363 turistë. Menaxhimi i këtij siti prej 33 vitesh ka qenë joadekuat, ndaj projekti i miratuar në Parlament i ka hapur rrugën mirëmbajtjes së zonës dhe thithjes së sa më shumë projekteve nga donatorët. //Nga Françeska KORDALLI

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese