Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Në muajin, kur lumturia na duket gjëja më e thjeshtë në botë

Shkruar nga Newsbomb
Në muajin, kur lumturia na duket gjëja më e thjeshtë në

“Të gjithë të rriturit dikur kanë qenë fëmijë, por shumë pak prej tyre e mbajnë mend”, Antoine de Sait - Exupery, “Princi i vogël”

Nga Iva Tiço

Unë nuk kam bërë kurrë një hyrje shkrimi me citim, por ja që paska gjithmonë një herë të parë. Kur Anila Basha më kërkoi që editorialin hapës të revistës për dhjetorin ta shkruaj unë, thashë “po” me vrap, pa e mbaruar ajo argumentimin se përse në prag festash këtë shkrim të numrit të fundit të 2022 e donte nga unë. E para sepse revistat do vijojnë të mbeten dashuria ime më e madhe profesionale, dhe e dyta dhe më e rëndësishmja: u ndjeva kaq e përkëdhelur, kur e dëgjova të më thoshte se llogaria ime në Instagram është llogaria që mban më shumë aromë festash, Krishtlindjesh.

Në botën e sotme të Internetit mund të lexosh me mijëra histori të lidhura me Krishtlindjen; për origjinën e hershme të saj pagane si festë e Diellit; për mbivendosjen që u bë me një nga ngjarjet më të rëndësishme të Krishtërimit, lindjen e fëmijës Jezus; për një shenjtor të vecantë, Santa Klausin, Shën Kollin, që ndihmonte fëmijët e që me kalimin e shekujve u shndërrua në një babagjysh buçko, të veshur me të kuqe e mjekër të bardhë e që pranon ta thërrasësh shkurt Santa; për historinë se si Martin Luther shpuri në shtëpi një bredh dhe për të parën herë e zbukuroi me qirinj; për ritualin e katër qirinjve që ndizen të dielave në një rit të bukur, për të përkujtuar Ardhjen e Jezusit dhe për dhjetëra e dhjetëra tradita, zakone, rite fatsjellëse e bestytni moderne që Perëndia që ne i falemi sot të gjithë, Konsumizmi, ia ka veshur kësaj feste, për ta shndërruar në kryefestën e vitit.

“Eshtë koha më e mrekulleshme e vitit”, me zile e tringëllima, me këngë romantike, me shtëpi që vijnë aromë mollësh e kanelle, me ide mbrëmjesh të bukura, me ide dhuratash, me familje që bëjnë planet se ku do të mblidhen me njëri tjetrin, me gota me verë të kuqe, ushqime plot fantazi, me të gjelbrën e pemës dhe veshjet e kuqe, me vargjet e dritave në dritare e ballkone e me qirinj në tryeza, me fëmijët që i shkruajnë letra Santës ku tregojnë se sa të mirë kanë qenë gjatë vitit e çfarë dhuratash duan, me prindër që përpara gjumit paketojnë dhuratat që do i lënë poshtë pemës në emër të Santës, me të rritur me shpirt fëmije që në mesnatë i hedhin sytë nga qielli dhe presin mrekullinë... Eshtë vërtetë koha më e bukur e vitit. Po të mos ekzistonte, do të duhej të ishte shpikur.

E imagjoni dot një dimër që sapo ka nisur, me mbrëmjen që bie pa u kthyer dot në shtëpi nga puna, me të ftohtin, zymtësinë, me ditët e bukura të marsit që janë aq larg...?! Ndoshta ndaj paganët shpikën të parat festa me drita, për të çelur pak gëzim në mes të zymtësisë e pastaj Krishtërimi dhe Konsumizmi bënë me radhë të vetën. Sot ndokush i quan shpenzimet e festave të çmendura, ndokush tjetër urren gjithë atmosferën rreth e rrotull e sidomos rrëmujën e trafikut, të tjerë akoma ndoshta ndjejnë stres që nuk po festojnë siç duhet, ndjehen keq nëse janë vetëm, apo nën presion kur bëjnë bilancin e vitit që kanë kaluar apo pritshmërinë e vitit që vjen.

Ndokush mezi pret të vijë janari e gjithë kjo të marrë fund, që bredhat të zhduken nga vitrinat dritat të fiken e të mos dëgjojnë “jingle bells” në çdo cep të mundshëm. Dhe të tjerë akoma i zë koka kur llogarisin paratë e harxhuara. Por, edhe pse janë një shpërthim i pafre konsumizmi (madje shumë familje shqiptare kanë zakon edhe të rinovojnë shtëpitë apo të blejnë elektroshtëpiake të reja në prag të festës së Vitit të Ri), festat e fundvitit, gëzimi i tyre, nuk është i lidhur aq shumë me paranë. Mjafton të shkojmë pas në kohë, paksa më shumë se tridhjetë vjet më parë, dhe të kujtojmë që kemi qenë po kaq të lumtur edhe me degët e pishave të zbukuruara me letra punëdore e pambukë, me dhuratat që ishin vec nje qese me mollë portokokaj, arra e ndonjë biskotë, me tryezat e mbushura me një mijë sakrifica dhe Babagjyshin, që nuk arrinte të shkonte në çdo shtëpi e të sillte lodra për të gjithë.

Por askush nuk thotë që në atë kohë nuk ka qenë i lumtur. Sepse kjo është gjëja më e bukur e këtyre festave: lindin në zemrat dhe sytë e fëmijëve dhe shpërndahen si një re mirësie dhe dashurie tek të gjithë rreth tyre. E nëse gjatë gjithë vitit ne të rriturit e harrojmë që dikur kemi qenë fëmijë, sapo nisin të ndizen dritat e festës kujtojmë se si kemi qenë dikur. Dhe nisim sërish të besojmë te magjikja. Vetëm sikur të mundnim ta mbanim ndezur dritën edhe pak më gjatë!

Numri i gjashtëmbëdhjetë i Revistës Newsbomb.al, ka dalë në treg prej datës 20 Dhjetor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese