Hapësire reklamuese

Politikë

Në kërkim të lirisë, Gjykata shtyn sërish seancën për Sali Berishën

Shkruar nga Newsbomb
Në kërkim të lirisë, Gjykata shtyn sërish seancën

Është shtyrë sërish seanca lidhur me kërkesën që ish-kryeministri Sali Berisha kishte depozituar sa i përket ndryshimit të masës së sigurisë. Arsyeja ka qenë fakti se në kërkesë nuk ishte vendosur që ish-kryeministri Berisha të përfaqësohej në mungesë nga avokatët.

Në një deklaratë për mediat, avokat i Berishës, Genc Gjokutaj, u shpreh se gjyqtari i vërtetë i kësaj çështje është kryeministri Edi Rama.

Gjokutaj theksoi se Rama do të arrijë qëllimin që ka vendosur për të djegur mandatin e Berishës, prandaj dhe shtyu sërish këtë seancë pa asnjë shkak ligjor.

“Sot kishim seancën e shtyrë nga seanca e kaluar për revokimin e masës së sigurisë arrest shtëpie për Berishën. Gjykata nuk e pranoi arsyetimin që ne ta përfaqësojmë në mungesë. Në qëllimin e saj që i ka vendosur vetes për të djegur mandatin e Berishës, e shtyu sërish pa asnjë shkak ligjor.

Pyesni Ramën në lidhje me këtë gjyq. Si do shkojë? Nga ai mund të merrni një përgjigje më të saktë, sepse ai është gjyqtari i vërtetë i kësaj çështjeje”, tha Gjokutaj.

Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, pasi akuzohet për korrupsion pasiv lidhur me aferën e ish-kompleksit Partizani.

Por për çfarë akuzohet Sali Berisha?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë e akuzon ish-kryeministrin, dhëndrin e tij dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi për veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani”.

Në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga:

Shtetasi Sali Berisha, është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

  1. Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi.
  2. Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.
  3. Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese