
Klodian Mhilli është vetëdorëzuar në policinë e Shkodrës pasi akuzohet për vrasjen e Valter Fjerzës. Ngjarje e ndodhur në shtator të 2023.
24-vjeçari ishte shpallur në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes me armë zjarri. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të vitit 2023 të Gjykatës së Shkodrës, e cila i ka caktuar 24-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Valter Fjerza, 33-vjeç u vra në fshatin Hot i Ri të Shkodrës vetëm pak metra larg banesës së tij. I riu po shkonte me makine në lokalin e fshatit pasi kishte mësuar se i vëllai, Kol Fjerza po konfliktohej me 5 djem të fisit Mhilli. Sherri mes Kol Fjerzës dhe autorit të dyshuar, Klodian Mhilli kishte lindur për një vend parkimi në rrugicën e lagjes. 24-vjeçari Mhilli prentedonte se 35 vjecari Fjerza i kishte bllokuar rrugën për të hyrë në banesë.
Valteri shkoi për të ndarë sherrin, ku në një moment është qëlluar me automatik drejt tij duke i shkaktuar vdekjen. Autor i kësaj ngjarje dyshohet Klodian Mhilli, i cili tashmë është vetëdorëzuar.
Njoftimi i policisë së Shkodrës:
Në vijim të punës hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të autorësisë së ngjarjeve kriminale të ndodhura, si rezultat i kontrollit të territorit për kapjen e shtetasve në kërkim të dyshuar si autorë të tyre, si dhe falë negociatave të vazhdueshme ndërmjet Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe familjarëve të një 24-vjeçari të shpallur në kërkim për vrasje, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, shtetasi:
-K. M., 24 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes me armë zjarri, të shtetasit V. F., kryer më datë 21.09.2023, në fshatin Hot i Ri.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka dërguar urdhrin per ekzekutimin e vendimit të vitit 2023 të Gjykatës së Shkodrës, e cila i ka caktuar 24-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.