Hapësire reklamuese

Politikë

“Në Estoni janë të dhënat online”, Afrim Krasniqi: Partitë në Shqipëri mbajnë sekret anëtarët, delegatët dhe financimet! Duhet reformim i thellë i legjislacionit

Shkruar nga Newsbomb
“Në Estoni janë të dhënat online”, Afrim

Politologu i njohur Afrim Krasniqi shprehet se legjislacioni shqiptar për partitë politike ka nevojë për një reformim të thellë dhe rrënjësor, që do të garantonte transparencë.

Nisur nga përplasja në Partinë Demokratike për mandatet e delegatëve për mbledhjen e Kuvendit të kësaj force politike, Krasniqi sjell shembullin e Estonisë dhe thotë se partitë aty i përditësojnë “online” të dhënat për të gjithë anëtarët, që nga kontributet deri te ata që largohen apo ndërrojnë jetë.

“Për të kuptuar diferencën midis konceptit tonë mbi politikën, partitë, anëtarët dhe “sekretin “shtetëror! Në Shqipëri asnjë parti nuk tregon jo vetëm listën e anëtarëve, por as financimin real të tyre, as emrat e strukturave drejtuese lokale dhe as vetë strukturën drejtuese, p.sh në Tiranë. Janë sekret. Tek PS sistemi i patronazhistëve tregoi se lista e qytetarëve, të dhënat personale në e-albania dhe bindjet politike të qytetarëve nuk ishin sekret, por ama lista e anëtarëve të PS është sekret. Tek PD sekret janë jo vetëm anëtarët (lista nuk iu dha as kandidatëve për kryetar partie), por edhe delegatët e një Kuvendi Kombëtar janë sekret!

Ja si sillet një vend demokratik në Europë, aty ku duam të jemi! Estonia i publikon të gjitha të dhënat e anëtarëve online, çdo ditë me të dhëna të plota, me të dhëna të kuotave financiare të paguara, me të dhëna për ata që dorëhiqen apo ndërrojnë jetë, pra me gjithçka që duhet të ketë një regjistër serioz. Është online, falas dhe cilido mund ta aksesojë në Estoni dhe jashtë saj.

Përpara ca vitesh NDI mundësoi një delegacion nga Tirana, ku bënin pjesë edhe 3 partitë kryesore, për të parë nga afër konceptin e hapjes dhe transparencës së partive politike. Kur e themi për Shqipërinë, na thuhet, nuk jemi si ata, duhet kohë.

Pyetja është: përse jo ne, përse jo tani, dhe nëse jo tani, sa kohë duhet? Kur do të zbatojmë nenin 9 të Kushtetutës për partitë dhe sillemi si "evropianë" në konceptin e transparencës dhe llogaridhënies? Kur do ndjekim standardet pozitive të ndryshme nga modeli i ish PPSH, si dhe kur do heqin dorë nga koncepti se partia është sekret shtetëror? Një reformim rrënjësor i legjislacionit të partive politike do të ishte pikënisje për zgjidhje, edhe për shkak se ne paguajmë çdo vit disa milionë euro nga taksat tona për të financiar partitë politike, strukturat e tyre, ndërtesat e tyre, fushatat e tyre”, shprehet Afrim Krasniqi në Facebook.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu