I dënuar për kokainën e sekuestruar në Xibrakë, nipi i ish-diktatorit, Ermal Hoxha duket se edhe pas disa vitesh që vuan dënimin në burg, nuk ka hequr dorë nga kërkesa e pafajësisë.
Sipas informacioneve, Hoxha i ka bërë rekurs vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda më datë 19 mars, pranë ambjeteve të Gjykatës së Lartë.
Së bashku me të kanë kërkuar pafajësinë edhe anëtarët e tjerë të bandës së Xibrakës: Klemend Dalipi, Arjan Dalipi, Ilir Hyseni, Genci Xhixha, Sajmir Tabaku, Gentjan Gjonaj, Valter Moreno dhe Cesar Gutierrez, të dënuar me 104 vite burg në total.
Kërkesa e pafajësisë ka kaluar në Gjykatën e Lartë, ku do të shqyrtohet nga Kolegji Penal dhe gjykatësi Artan Zeneli.
Të dënuarit u arrestuan gjatë një operacioni policor në vitin 2014, ku në fshatin Xibrakë të Elbasanit u zbulua edhe një laborator i përpunimi të kokainës.
I përfshirë në rrjetin e tregtimit të kokainës, rezultoi edhe nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha, bashkëshorti i këngëtares Rezarta Shkurta, i cili u dënua me 6.8 vite burg.