Ndre Legisi, ish-deputet i PS-së flet në një intervistë lidhur me zhvillimet brenda partisë dhe pse ka dalë në mbështetje të deputetit Ben Blushi, sfidanti i kryeministrit Edi Rama për kreun e partisë.
“Partia Socialiste është partia e rrumpallës. Kryetari ka disa zagarë që i lëshon për të sharë dhe lavdëruar cilin do kryetari’’, thotë ndër të tjera Legisi për ‘’Shqip’’.
“Partia elektorale, siç po e zbaton idenë e tij zoti Rama me të tjerë, është partia e rrumpallës, domethën kush futet, kush del, çdokush sipas orekseve të drejtuesve. Kryetarët kanë edhe disa zagarë që i lëshojnë për të sharë dhe për të lavdëruar cilin do kryetari. Kjo nuk duhet të ndodhë më në Partinë Socialiste”, deklaron Legisi, i cili ka dalë hapur në mbështetje të deputetit Ben Blushi.
Deklaratat më të forta të tij gjatë intervistës:
“Unë jam një ndër mbështetësit e asaj çfarë është shkruar në statut. Statuti i Partisë Socialiste është kushtetuta e partisë dhe duke qenë kushtetuta e partisë,do të thotë që duhet të respektohet ashtu siç është shkruar. Pas ndryshimit, respektohet si është ndryshuar. Nuk mundet që meqënëse e kemi shkruar kështu, por meqenëse e ka Anglia ndryshe dhe ne do ta bëjmë ndryshe, nuk do të respektojmë ato çka vetë kemi shkruar. Kjo nuk duhet të funksionojë kështu. Në qoftë se është shkruar. Deri më tani nuk ka ndodhur dhe kjo është arsyeja edhe e letrës drejtuar këtij komisioni.
Unë nuk e them këtë se po kërkon deputeti Ben Blushi tani, por e kam thënë dhe kërkuar para tij. Unë kam qenë sekretar organizativ i Partisë Socialiste, kam menaxhuar Kongresin më të vështirë që ka kaluar PS, kur konkurroi Fatos Nano me Pandeli Majkon.
Partia elektorale, siç po e zbaton idenë e tij zoti Rama me të tjerë, është partia e rrumpallës, domethën kush futet, kush del, çdokush sipas orekseve të drejtuesve. Dalin ata që i do Z.Rama,futen po njerëz që i do Z.Rama. Ne, nuk ka arsye pse të jemi dakord me këtë që po bën.
Kjo ka qenë sjellja ime dhe nuk është vetëm sot. Kjo ka qenë sjellja ime edhe kur Rama donte të kandidonte me Nanon. Unë kam qenë një nga personat që e kam mbështetur Ramën në atë kohë. Mbaj mend që edhe deputeti Blushi, I cili ishte ministër i Nanos, ka firmosur që të konkurrojë Rama me të drejtën e statutit për të konkurruar cilido që zgjedh dhe zgjidhet. Këto janë pozicionet e mia që i kam shfaqur jo tani, por edhe tre vite më parë.
Asnjë lloj shprese nuk kam që Komisioni i Garancive Statutore ta marrë seriozisht për sa kohë Rama ka mentalitet që ligji është vetë. Edhe Statuti është vetë. Tani, partitë janë bërë personale të kryetarëve. Kryetarët menaxhojnë fondet, marrin donacione, zgjedhin deputetët, kryetarët bëjnë çfarë të duan. Kryetarët kanë edhe disa zagarë që i lëshojnë për të sharë dhe për të lavdëruar cilin do kryetari. Kjo nuk duhet të ndodhë më në Partinë Socialiste.”